Zëvendëssekretari i Qeverisë nga radhët e VLEN-it, Hasim Murtezani, ka reaguar ndaj akuzave të BDI-së lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet qeveritare.
Në një reagim publik, Murtezani i cilësoi pretendimet e BDI-së si “propagandë masive” ndaj punës së VLEN-it në Qeveri, veçanërisht sa i përket zbatimit të gjuhës shqipe në dokumentacionin zyrtar, transmeton Zyrtare.net
“Pasi BDI-ja është lëshuar në propagandë masive ndaj punës së VLEN-it në Qeveri, sidomos ndaj përdorimit të gjuhës shqipe, po na bëhet obligim dhe detyrim t’i kundërpërgjigjemi me fakte propagandës së BDI-së se gjuha shqipe po përdoret dhe po implementohet në Qeveri”, ka shkruar Murtezani në reagimin e tij.
Ai ka publikuar edhe dokumente, të cilat sipas tij dëshmojnë se aktet zyrtare në Qeveri po nënshkruhen dhe përdoren në dy gjuhë, përfshirë edhe gjuhën shqipe. Sipas Murtezanit, këto materiale përbëjnë dëshmi konkrete të zbatimit praktik të gjuhës shqipe në institucionet ekzekutive./zyrtare.net/

