Për ta thjeshtuar çështjen e të kuptuarit drejt të Amerikës, le të bëjmë një qasje krahasuese mes kësaj fuqie dhe karakterit të një njeriu.
Çështja nuk është te fuqia e një njeriu, por të morali i tij. Kështu ka qenë, është dhe do jetë gjithnjë, pasi ky moral kërkohet natyrshëm nga natyrshmëria njerëzore, edhe nëse nuk artikulohet saktë, edhe nëse joshja është pas fuqisë.
Ndaj, imagjioni një njeri që e ka zero virtytin empatik. Të tillë e tregon historia mendësinë politike amerikane. Te ajo, çdo gjë është interes dhe jo interes filantrop, por tërësisht mizantrop. Pra, si do mund të ndërtonit raporte të shëndetshme me njeri pa cilësi empatike dhe që nuk sheh kurrë tej hundës së vet?!
Prej kësaj vjen më torturuesja te karakteri i këtij njeriu: kontradikta. Çfarë shpall e promovon në terma moralë, nuk ka asnjë përputhje me sjelljen në terma konkretë.
E freskët: shpall empati për popullin iranian, por kërcënon ta kthejë atë në epokën e gurit duke ia shkatërruar çdo aset jete(!!!).
Si do ndiheshit pra me një njeri që kontradiktën e ka si bukën që ha?
Dhe kjo alkimi pason pabesinë në qëndrime. Ky njeri, i zhveshur nga çdo konstrukt moral, duke e identifikuar veten vetëm me fuqinë, po si bukën që ha ka dhe shkeljen e fjalës.
Po me një njeri të tillë a do ndërtonit dot shoqëri a marrëdhënie pune?
Mirë do ishte ta ndanim SHBA, karakterin e kësaj fuqie, nga tiparet e frikshme të njeriut që e udhëheq, duke e konsideruar këtë të fundit një aksident në krye të saj. Do kishte qenë goxha ngushëlluese po të qe vërtet kështu. Sigurisht, Trump bën diferencën etike me paraardhësit e tij, por në thelb ai është mishërim i karakterit të fuqisë që e çoi në krye të saj. Nëse politika amerikane do kishte patur ca pak nga tiparet e munguara të sipërcekura, një i tillë kur nuk do mund të ngjitej në krye të saj edhe nëse vërtitej te ajo.
Se fjala vjen, sa humanist ka qenë në jetë ky zengin? Sa njerëz i janë mirënjohës për ndihmën që u ka dhënë? Sa njerëz do linin kokën për njerëzillëkun e tij? Pra, në finale: sa njerëzor e tregon jeta e deritanishme, gjurmët që ka lënë në shpirtëra?
E pra, gjersa këto kritere morale janë zhdukur nga vlerësimet për një udhëheqës, mos prisni që bota të jetë më e mirë! /tesheshi.com/

