Kryeministri Hristijan Mickoski sot komentoi deklaratat e djeshme të Arben Taravarit për gjendjen e shqiptarëve në qeverinë aktuale, përcjell TV21. Mickoski tha se Taravari këtë e bën për t’u vardisur sa më shumë te partneri i ri i koalicionit, BDI.
“Shikoni, unë ende nuk mundem të befasohem se pse z.Taravari vuan për biznesin Gjoka ku nuk pati sukses dhe në opinion shpik gjëra që nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me realitetin. Unë shumë herë i kam komentuar marrëdhëniet në qeveri dhe marrëdhëniet me partnerin tonë, ndryshe mund të them se janë parimore, për dallim me marrëdhëniet që kemi pasur me z. Taravarin, që ishin vardisëse nga ana e tij, kështu që supozoj që atë parim të vardisjes që e ka zbatuar te unë, tani po e zbaton te partneri i ri i koalicionit, BDI. Atëherë në komunikim me mua ashpër i kritikonte, tani supozoj në komunikimin për t’u vardisur sa më shumë te Ali Ahmeti, më kritikon mua”,tha Taravari.
Ndryshe, Taravari mbrëmë drejtoi kritika të ashpra ndaj kryeministrit Mickoski, ku e akuzoi për dobësimin e qëllimshëm të faktorit politik shqiptar.
“Mickoski arriti t’i margjinalizojë totalisht shqiptarët dhe tregoi se mund të qeverisë edhe me një grup partitë të vogla, të cilat as nuk duhet të bëjnë diçka, as nuk dinë”, deklaroi Taravari në Telma, duke shtuar se shumica e ministrave nga blloku shqiptar ishin anonimë dhe pa përvojë pune.
Sipas tij, pikat kryesore të marrëveshjes koalicionare kanë mbetur vetëm në letër, ndërsa shtoi se decentralizimi fiskal jo vetëm që nuk ka ndodhur, por ligji i ri për vetëqeverisjen lokale ka zvogëluar edhe më tej kompetencat e komunave.
Taravari theksoi se është më mirë të jesh në opozitë sesa të jesh një kukull në qeveri.
“Unë karakterologjikisht nuk mund të jem kukull në një qeveri… Të jesh pjesë e një sistemi që është jo-funksional është idiotizëm”, tha Taravari.

