Në Kalanë e Qendresës në Sellcë të Tetovës është kujtuar 25-vjetori i krismës së parë të pushkës nga UÇK-ja. Bashkëluftëtarë, krerë të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të ardhur nga fshatrat e Malësisë dhe qytete të tjera të vendit kujtuan të gjithë luftëtarët dhe dëshmorët e luftës së vitit 2001, të cilët luftuan deri në frymën e fundit për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Maqedoni.
Ish-komandanti i “Brigadës 112”, Hazbi Lika, tha se lufta e vitit 2001 solli Marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas tij edhe sot nuk po zbatohet siç duhet.
Ai theksoi se kjo marrëveshje i ka themelet mbi gjakun dhe amanetin e dëshmorëve të vitit 2001.
“Si rezultat i gjithë asaj përpjekjeje u arrit që nëpërmjet rreshtimit në UÇK dhe nëpërmjet zgjerimit të kësaj ushtrie deri në kufirin më të largët ku banojnë shqiptarët në Maqedoni, të arrihet që me veprimtari, qofshin diplomatike dhe ushtarake, të kurorëzohet një fitore e cila u manifestua me Marrëveshjen e Ohrit. Për fat të keq, në të gjithë procesin pas luftës jo gjithçka ka shkuar ashtu siç duhet, por ka një gjë të mirë sepse ajo marrëveshje në themelimin e saj e ka gjakun e dëshmorëve dhe ai gjak për ne duhet të jetë udhërrëfyes se si duhet të vazhdojmë në të ardhmen. Asnjëherë nuk mund të themi se ka përfunduar një proces dhe ka përfunduar një amanet. Gjithmonë amaneti i dëshmorëve do të na ndjekë hap pas hapi, nga do që të shkojmë dhe çfarëdo që të bëjmë”, – u shpreh ish-komandanti i “Brigadës 112 Mujdin Aliu”, Hazbi Lika.
Ndërsa ish komandanti nga Kosova Bedri Llapashtica tha se sot klasa politike në të gjitha trojet shqiptare duhet të bashkohet për të mbrojtur interesat e përbashkëta për të cilat, sipas tij, brez pas brezi është luftuar.
“Jemi këtu në 25-vjetorin e krismës së parë të lirisë, së bashku me familjet e dëshmorëve, bashkëluftëtarë e qytetarë të shumtë, duke kujtuar fillimin e një rezistence të armatosur në Malësinë e Sharrit. Kjo tregon më së miri se populli shqiptar di të bashkohet në momente të rëndësishme përballë një rreziku që i shfaqet përpara. Duhet të dihet sot të bashkohet sidomos klasa politike, duke lënë më një anë inatet primitive karshi interesave të përgjithshme, për të cilat brez pas brezi punuam që sot ne të jemi krenarë në vendin tonë”, – tha ish Komandanti i UÇK-së nga Kosova, Bedri Llapashtica.
Në fund, të gjithë të pranishmit bënë homazhe pranë varreve të dëshmorëve të vitit 2001, të cilët janë të varrosur në Kalanë e Sellcës.


