Deputetja e VLEN, Imerlije Saliu, ka marrë pjesë sot në debatin publik me temë “Përmirësimi i të drejtës për shëndet për personat me aftësi të kufizuara”, i organizuar në kuadër të projektit “Përballja me paragjykimet dhe stigmatizimin”.

Aktiviteti u realizua nga Grupi Parlamentar Ndërpartiak për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, në bashkëpunim me organizatën ZETA – organizata për aftësi të kufizuara dhe drejtësi, Shoqatën e Personave me Paralizë Cerebrale dhe Aftësi të Tjera të Kufizuara – Veles, “Poraka” – Negotinë dhe “Eko-Jetë” – Kavadar, në kuadër të projektit të financuar nga Qeveria e Zvicrës përmes programit CIVICA Mobilitas.

Në një njoftim publik, Saliu theksoi rëndësinë e dëgjimit të drejtpërdrejtë të sfidave me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre.

“Kur dëgjon nga afër sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, e kupton se kjo nuk është thjesht një temë diskutimi – është një realitet i përditshëm që kërkon zgjidhje konkrete”, u shpreh ajo.

Deputetja nënvizoi se familjarët përballen çdo ditë me sfida të shumanshme, nga ato emocionale deri tek vështirësitë sociale.

“Kur themi se po punojmë për avancimin e të drejtave të kësaj kategorie, shpesh ndjejmë se kontributi ynë është ende i pamjaftueshëm përballë nevojave reale që ekzistojnë. Prandaj, përkushtimi duhet të jetë i vazhdueshëm, institucional dhe njerëzor”, deklaroi Saliu.

Ajo shtoi se do të vazhdojë të angazhohet fuqishëm në mbrojtje të kësaj kategorie.

“Kam qenë dhe do të jem zëri i tyre. Sepse përballë këtyre familjeve, përgjegjësia jonë nuk është vetëm ligjore apo politike – është edhe morale. Dhe përpara kësaj përgjegjësie, gjithmonë do të jap maksimumin”, theksoi deputetja e VLEN-it.