Anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) pa të drejtën e vetos. Kjo ide po diskutohet në mesin e zyrtarëve evropianë, por jo publikisht, teksa të paktën dy udhëheqës të Ballkanit Perëndimor publikisht kanë shprehur gatishmërinë për të pranuar një mundësi të tillë për hir të anëtarësimit në të ardhmen në bllok.
E drejta e vetos, e parashikuar në traktatet themeluese të BE-së, nënkupton mundësinë që, në disa vendime politike për të cilat kërkohet unanimiteti, siç është ajo për pranimin e anëtarëve të rinj, çdo shtet anëtar mund ta bllokojë vendimin.
Diskutimi mbi mundësinë që gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor të pranohen në BE pa të drejtën e vetos po shfaqet si një opsion, që përmendet në lidhje me negociatat për paqe në Ukrainë, për të cilat iniciativën kryesore aktualisht e kanë Shtetet e Bashkuara.
Edhe pse BE-ja formalisht nuk është e përfshirë në këto negociata, po shqyrtohet mundësia e anëtarësimit të Ukrainës në bllok si pjesë e një pakete të një marrëveshjeje të paqes me Rusinë. Këtë disa herë e kanë konfirmuar për gazetarët në mënyrë joformale zyrtarë amerikanë.
Dhjetë shtete i përkasin grupit të zgjerimit: gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Turqia, edhe pse pjesë e këtij procesi për më shumë se dhjetë vjet, i ka të ngrira negociatat për anëtarësim.
A mundet që vullneti eventual i Brukselit për të hapur dyert për Ukrainës pas arritjes së paqes të ketë edhe ndikim për shtetet e Ballkanit?
Cili është qëndrimi i Komisionit Evropian?
Kur u pyet për një lehtësim të mundshëm të kritereve për anëtarësim të vendeve të Ballkanit, shërbimi për media i Komisionit Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se zgjerimi i BE-së tani nuk shihet vetëm nga këndvështrimi i përfitimeve ekonomike, por edhe në një kontekst sigurie.
“Zgjerimi sjell përfitime të qarta si për shtetet anëtare, ashtu edhe për vendet që synojnë anëtarësimin. Debati aktual tregon qartë një gjë: zgjerimi ka lidhje edhe me sigurinë. Në kontekstin aktual gjeopolitik, duhet të sigurohemi që qasja jonë të përmbush qëllimin”, thuhet në përgjigjen e KE-së.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian konfirmoi se që anëtarësimi në të ardhmen i Ukrainës në bllok është pjesë e negociatave për paqe, por Brukseli nuk dëshiron që ta paragjykojë rezultatin.
“Është e qartë se integrimi në BE mund të kontribuojë në qëllimin tonë të përbashkët: sigurimin e paqes dhe prosperitetit për Ukrainën. Kjo është gjithashtu ajo që përfaqëson ‘Korniza për Prosperitet’”, thanë nga shërbimi për media i KE-së.
“Korniza për Prosperitet” është një dokument amerikano-evropian për Ukrainën, i hartuar për t’i dhënë Kievit garanci financiare, së bashku me garanci sigurie, për stabilizimin e Ukrainës pas përfundimit të luftës me Rusinë.
Kush qëndron pas këtij propozimi joformal?
Marta Kos, komisionare për Zgjerimin dhe politikane nga Sllovenia, është mbështetëse e rishikimit të së drejtës së vetos për anëtarët e ardhshëm, me qëllim që anëtarësimi të bëhet më i lehtë, thotë për REL-in një burim brenda KE-së.
Kos deri më tani nuk ka folur publikisht për këtë mundësi, ndërsa një bashkëbisedues i REL-it thotë se qëndrimi i saj nuk gëzon mbështetje të plotë në KE. Në fakt, në mesin e 27 shteteve anëtare nuk ekziston një pozicion i qartë, as entuziazëm në lidhje me një ndryshim të mundshëm të “rregullave të lojës” në procesin e pranimit të anëtarëve të rinj.
Po ashtu, burime jozyrtare nga Komisioni Evropian vlerësojnë se kryetarja e këtij institucioni, Ursula von der Leyen, mund të mbështesë një ide të tillë nëse ky do të ishte çmimi që duhet paguar për përfundimin e luftës në Ukrainë. Më saktësisht, sqarohet se kjo do të ishte e mundur vetëm nëse do të ishte e sigurt që një iniciativë e tillë të pranohej, të paktën për t’u shqyrtuar, nga shtetet anëtare të BE-së.
Çfarë do të përfshinte ky ndryshim? Së pari, heqja dorë nga e drejta e vetos, pastaj anëtarësimi gradual, fillimisht përmes qasjes në tregun e përbashkët, me një monitorim të mundshëm të shtuar në të gjitha fazat, deri në anëtarësimin e plotë, kur të plotësohen të gjitha kriteret.
Tregu i përbashkët i BE-së, i krijuar në vitin 1993, funksionon si një hapësirë unike pa kufij, ku zbatohet koncepti i “katër lirive”: lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit. Shtetet e Ballkanit Perëndimor, fqinjët më të afërt të BE-së, e nuk gëzojnë këtë mundësi. Edhe pse nuk janë anëtare të BE-së, qasje në këtë treg kanë Zvicra, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda.
Për më tepër, kriteri që u vendos për të gjitha shtetet që gravitojnë drejt BE-së, dhe nga i cili nuk bëhet kompromis, lidhet me sundimin e ligjit.
Cilën detyrë duhet të përmbushë Serbia?
Ndryshimet e fundit në ligjet e drejtësisë, të iniciuara nga partia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë vendosur qartësisht sundimin e ligjit në krye të kushteve për Serbinë, e cila është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012.
Zyrtarët evropianë theksojnë se Serbia kohët e fundit ka shënuar regres në sundimin e ligjit përmes miratimit të ligjeve kontroverse të drejtësisë.
Komisioni Evropian ka vlerësuar se me këtë Serbia ka bërë një hap pas në procesin e integrimit evropian, pasi këto ligje, sipas mendimit të Brukselit, rrezikojnë pavarësinë e gjyqësorit. Bëhet fjalë për një kërkesë padyshim të ndjeshme për Beogradin, i cili ka kryer ndryshime në drejtësi në një moment kur pushteti përballet me protesta të gjera e ku kërkesat kryesore lidhen me luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Mesazhi nga Brukseli ka bërë jehonë në Beograd, dhe shefi i misionit të Serbisë pranë BE-së, Daniell Apostolloviq, ka deklaruar se nuk do të hapen tre kapituj të rinj në negociata derisa çështja e ligjeve të mos zgjidhet.
Vetë presidenti Vuçiq, i cili mbështeti ndryshimet në ligjet e drejtësisë, në kontekstin e negociatave me BE-në ka kushtuar më shumë vëmendje çështjes së vetos. Serbia do të ishte e gatshme të heqë dorë nga e drejta e vetos për hir të anëtarësimit, tha Vuçiq më 16 shkurt në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
“Aspekti më i rëndësishëm për ne është tregu i përbashkët dhe lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve dhe kapitalit. Këto janë vlerat qendrore që duam t’i arrijmë përmes anëtarësimit në BE”, deklaroi Vuçiq, raportoi gazeta gjermane.
Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, ashtu si dhe institucionet përgjegjëse për negociatat me BE-në, nuk janë prononcuar për këtë çështje.
Vuçiq nuk është i vetëm. I përballur me akuza për korrupsion, që kanë çuar në protesta dhe përplasje në rrugët e Tiranës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, disa herë në dy muajt e fundit ka deklaruar se është i gatshëm të heqë dorë nga e drejta e vetos për një gjysmë-anëtarësim në BE.
Përballë akuzave për korrupsion, të cilat çuan në demonstrata dhe përplasje në rrugët e Tiranës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, disa herë gjatë dy muajve të fundit ka deklaruar se është i gatshëm të heqë dorë nga e drejta e vetos për një “gjysmë-anëtarësim” në BE.
Institucionet shqiptare nuk janë prononcuar për këtë mundësi. Shqipëria ka hapur me sukses të gjitha kapitujt në negociatat për anëtarësim dhe tani pret të nisë mbylljen e tyre. Shqipëria, së bashku me Malin e Zi fqinj, janë vendet më të suksesshme sa u përket negociatave me Brukselin.
Pse ideja e Brukselit nuk është tërheqëse për Podgoricën?
Mali i Zi është shteti që ka avancuar më së shumti në procesin e anëtarësimit, me një perspektivë reale që të përfundojë negociatat dhe për t’u bërë anëtar i BE-së në fund të kësaj dekade.
Në këtë kontekst, oferta për një anëtarësim progresiv nuk është tërheqëse për këtë shtet, pasi Podgorica ndodhet në kilometrin e fundit të mbylljes së procesit negociator që çon drejt nënshkrimit të Marrëveshjes për Anëtarësim.
Ministrja për Integrimet Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Podgoricë “janë të vetëdijshëm që ekzistojnë ide të ndryshme për anëtarësim me faza dhe shtresa” që për disa shtete mund të duket një rrugë më e lehtë dhe më e shpejtë. Mali i Zi, megjithatë, mbetet i përkushtuar ndaj modelit të bazuar në merita.
“Qëllimi ynë është i qartë: anëtarësim i plotë, të barabartë me të gjitha shtetet anëtare ekzistuese. Besojmë se një qasje e tillë është më e mira jo vetëm për shoqërinë dhe ekonominë malazeze, por edhe për vetë Bashkimin Evropian, sepse vetëm shtetet plotësisht të përgatitura mund të forcojnë më tej projektin evropian”, thotë Gorçeviq.
Lehtësim për Maqedoninë e Veriut
Para dy dekadash, Maqedonia e Veriut konsiderohej një nga vendet që kishte avancuar më shumë në integrimet evropiane. Sot, ajo është pengu më i madh i politikës për të drejtën e vetos të shteteve anëtare të BE-së.
Si kandidate për anëtarësim të plotë që nga viti 2005, Maqedonisë së Veriut i është premtuar që nga viti 2009 se do të hapte negociatat e pranimit sapo të zgjidhej mosmarrëveshja për emrin me Greqinë fqinje.
Mosmarrëveshja u zgjidh në vitin 2018, Greqia hoqi veton, por Bullgaria përdori të drejtën e saj të vetos dhe vazhdon ta bllokojë Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimeve evropiane, duke insistuar në respektimin e trashëgimisë së përbashkët historike dhe gjuhësore, dhe duke kërkuar ndryshime kushtetuese dhe arsimore për të njohur minoritetin bullgar.
Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm të përshtaten me ndryshimet e mundshme brenda BE-së.
“Në thelb, kjo do të nënkuptonte anëtarësim dhe prezencë institucionale në BE që nga viti 2027, por me kapacitet të kufizuar vendimmarrës, integrim gradual dhe me kushte, dhe monitorim të fuqishëm deri në përputhje të plotë me sistemin evropian. Si Qeveri, jemi plotësisht të vetëdijshëm për ndryshimet dinamike që ndodhin dhe për nevojën për t’i parashikuar dhe përshtatur me to”, theksuan nga ekzekutivi maqedonas.
Sinjal i mirëpritur nga Bosnja dhe Kosova
Pushtimi i Ukrainës, që tashmë ka hyrë në vitin e pestë, ka ringjallur procesin e zgjerimit që për vite me radhë kishte qenë “i fjetur”.
Bosnja dhe Hercegovina e cila edhe sot e kësaj dite ende po merr veten nga traumat e luftës që u zhvillua para 30 vjetësh, është një shembull tipik. Statusin e kandidatit e mori në dhjetor 2022, menjëherë pas Ukrainës dhe pikërisht për shkak të Ukrainës, edhe pse Sarajeva nuk kishte përmbushur kushtet e nevojshme që kishte vendosur më parë KE-ja.
Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, tha javën e kaluar se ideja e anëtarësimit pa të drejtën e vetos ishte mbështetur prej tij disa vite më parë.
“Në fazën e parë, hapja e mundësisë që të hyjmë në BE pa të drejtën e vetos, me përmbushjen e mëtejshme të kushteve për të arritur në këtë fazë, është diçka fenomenale. Kjo do të thotë shumë, tërheq investime, rrit pagat dhe standardin e jetesës, mban të rinjtë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe siguron më shumë fonde për të gjitha problemet, madje edhe për tramvajet në Sarajevë. Pra, kjo është diçka që vendi ka nevojë, dhe kur i japim fokus kësaj, gjithçka do të jetë më e lehtë dhe më e bukur”, deklaroi Konakoviq më 19 shkurt në Banjallukë.
Konakoviq aludoi dy probleme që rëndojnë jetën e përditshme në Bosnje dhe Hercegovinë. Sipas të dhënave të Unionit për kthim të qëndrueshëm nga 2023, në dekadën e fundit nga ky shtet kanë ikur afër 600.000 njerëz. Tragjedia e fundit e daljes nga shinat e një tramvaji të vjetër në Sarajevë nxiti protesta të qytetarëve të pakënaqur me funksionimin e dobët të shërbimeve publike.
Kosova, ku gjithashtu kujtimet e luftës janë ende të freskëta, është i vetmi shtet në grupin e zgjerimit që nuk ka statusin e vendit kandidat, edhe pse ka dorëzuar kërkesën në vitin 2022. Pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, gjë që bllokon diskutimin mbi aplikimin për statusin e kandidatit.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, vlerëson se duke i dhënë Kosovës status kandidati, BE-ja do të dërgonte një sinjal se procesi i integrimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor do të ketë trajtim të barabartë për të gjitha, bazuar në meritat e secilit.
“MPJD-ja nuk komenton diskutimet eventuale të mbyllura të institucioneve të BE-së. Në rast se ky skenar hipotetik materializohet, ne do ta shqyrtojmë në kohën e duhur. Tani, për Kosovën është e rëndësishme të fillojë procesin zyrtar të integrimit, duke marrë statusin e kandidatit dhe pyetësorin”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.
“Ekspozimi i realitetit të ashpër”
Me këto fjalë, Adi Çerimagiq, analist për Ballkanin Perëndimor në Iniciativën Evropiane për Stabilitet (ESI) me seli në Berlin, e përshkruan debatin mbi të ashtuquajturin gjysmë-anëtarësim, pa të drejtën e vetos ose me monitorim të shtuar pas hyrjes në BE.
“Shtetet anëtare ende nuk kanë marrë një vendim politik thelbësor se nëse, kur dhe nën cilat kushte duan të pranojnë anëtarë të rinj”, vlerëson Çerimagiq.
Ai thekson se në vitet e fundit flitet për një momentum të ri dhe se është shënuar një përparim në procesin negociues, por se çështja kryesore politike mbetet e hapur: a dëshiron BE-ja zgjerim, në cilin afat kohor dhe sipas cilave kritere.
“Në një kontekst të tillë nuk është befasuese të shihen diskutime mbi modele alternative: nga anëtarësimi pa të drejtën e vetos, përmes mekanizmave më të rreptë të sanksionimit për regres, deri tek ideja e ashtuquajturit anëtarësim i përmbysur, sipas të cilës kandidatët do të bashkoheshin formalisht në bllok, dhe pastaj do të vazhdonin punën për t’u harmonizuar me rregullat dhe standardet”, thotë ai.
Çerimagiq konfirmon se detajet e modeleve të reja po shqyrtohen brenda institucioneve të BE-së, por informacionet e disponueshme janë të kufizuara:
“Pa vija të qarta të modelit që Komisioni Evropian mund të zhvillojë, është e vështirë të parashikohen qëndrimet e shteteve anëtare, dhe edhe më e vështirë të dallohen mundësitë e një kompromisi të mundshëm”.
Ai beson se për vendet e Ballkanit Perëndimor, rezultati më i mirë do të ishte që 27 shtetet anëtare të tregojnë vullnet politik dhe gatishmëri për një marrëveshje mbi një qëllim kyç ose të rëndësishëm për të gjitha kandidatët.
“Ky qëllim do të duhej të sigurojë besueshmërinë e BE-së dhe të forcojë mbështetjen politike për reformat te kandidatët – nga harmonizimi i legjislacionit me acquis-in evropian deri te forcimi i sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike. Për ta arritur këtë, BE-ja duhet t’u hapë kandidatëve rrugën drejt përfitimeve thelbësore të anëtarësimit: qasje në tregun e përbashkët dhe shfrytëzim të plotë të katër lirive të lëvizjes. Çdo gjë më pak se kaq do të ishte një mundësi tjetër e humbur”, thotë Çerimagiq.
A është i mundur anëtarësimi progresiv brenda kornizës ligjore ekzistuese?
Përgjigjja për këtë pyetje është e qartë: thjesht nuk është e mundur të pranohen anëtarë të rinj në BE pa e ndryshuar Traktatin e BE-së.
Traktati aktual nuk parashikon anëtarësim të kufizuar apo anëtarësim pa të drejtën e vetos. Të gjitha shtetet anëtare kanë të njëjtin status në rendin ligjor të BE-së.
Për të ndryshuar Traktatin e BE-së, është e nevojshme një marrëveshje unanime e të gjitha shteteve anëtare. Në kontekstin gjeopolitik aktual të BE-së, ky është një mision pothuajse i pamundur.
Nëse ndonjë vend përfundon negociatat për anëtarësim brenda kuadrit ligjor ekzistues, anëtarësimi do të realizohet sipas traktateve, me të drejta dhe obligime të plota. (REL)

