Deklarata e Ali Ahmeti lidhur me rolin e xhamive në diasporë ka nxitur reagime të shumta në opinion. Pas publikimit të lajmit nga portali Gjurmë.info, ka reaguar edhe analisti Ramadan Ramadani, duke e cilësuar qëndrimin e Ahmetit si të gabuar dhe kontradiktor.
Ramadani, përmes një reagimi të gjatë publik, kritikon këshillën e Ahmetit drejtuar diasporës shqiptare për t’u fokusuar më shumë në krijimin e klubeve politike sesa në ndërtimin dhe funksionimin e xhamive. Sipas tij, një qasje e tillë shpërfill rolin e rëndësishëm që këto institucione kanë pasur ndër vite për komunitetin shqiptar jashtë vendit.
Ai thekson se xhamitë në diasporë nuk kanë qenë vetëm objekte fetare, por edhe qendra me rëndësi shoqërore, kulturore dhe kombëtare, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit dhe organizimin e shqiptarëve.
“Është e papranueshme që sot të kontestohet roli i xhamive, kur pikërisht ato janë shfrytëzuar për aktivitete të ndryshme kombëtare dhe politike, madje edhe nga vetë aktorët politikë kur kanë qenë në pushtet”, shprehet Ramadani.
Ai gjithashtu akuzon Ahmetin për “dyftyrësi”, duke rikujtuar se gjatë viteve të kaluara, struktura politike që ai përfaqësonte ka përdorur hapësirat e diasporës, përfshirë edhe xhamitë, për aktivitete partiake dhe fushata zgjedhore.
Në reagimin e tij, Ramadani prek edhe historikun e organizimit të diasporës shqiptare, duke përmendur se klubet e dikurshme shpesh kanë qenë të ndikuara ose të kontrolluara nga regjime të ndryshme, si ato të Enver Hoxha dhe Josip Broz Tito.
Sipas tij, mosadresimi i këtij fakti është i qëllimshëm dhe pjesë e një strategjie për të relativizuar rolin aktual të institucioneve të pavarura të diasporës.

