Shkup, 25 shkurt – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, nga nesër deri të shtunën do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë kësaj vizite janë paraparë takime institucionale në nivel të lartë, si dhe aktivitete me karakter diplomatik.
Begaj do të pritet nga presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi. Në agjendën e tij janë përfshirë edhe takime me liderët e partive politike shqiptare në vend.
Në kuadër të vizitës, presidenti shqiptar do të qëndrojë edhe në disa komuna me shumicë shqiptare. Ai do të vizitojë Komunën e Çashkës, Tetovën, ndërsa vizitën do ta përmbyllë me një ndalesë në Komunën e Dibrës.
Vizita në Tetovë është paralajmëruar edhe nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Të shtunën, Tetova ka nderin të mirëpresë Presidentin e Shqipërisë. Kjo vizitë është një moment i veçantë për forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve vëllazërore mes shqiptarëve në rajon”, ka shkruar Kasami. (koha.mk)

