Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka reaguar përmes një statusi në Facebook, duke kërkuar falje publike nga VMRO-DPMNE dhe deputeti Petrushevski për, siç thotë ai, gënjeshtra, shpifje dhe fyerje të vazhdueshme ndaj tij. Zaev paralajmëron se nëse nuk ka kërkim-falje brenda afatit ligjor, do të ngritë padi për të mbrojtur emrin dhe reputacionin e tij.
Statusi i plotë në facebook:
Demant ndaj gënjeshtrave të VMRO-DPMNE-së
Prej pesë vitesh jam jashtë politikës, pasi kam dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet politike dhe shtetërore. Pesë vjet, pothuajse çdo ditë që nga largimi im, partia VMRO-DPMNE, udhëheqja e saj, zëdhënësit dhe mediat e afërta me ta nuk kanë reshtur së u marrë me mua, duke përhapur vazhdimisht gënjeshtra, shpifje dhe fyerje.
Kërkoj publikisht falje nga deputeti Petrushevski dhe nga partia VMRO-DPMNE për të gjitha këto gënjeshtra, shpifje dhe fyerje, përfshirë edhe keqpërdorimin e qëllimshëm të emrit tim në atë dramë të inskenuar rreth konfiskimit të dhjetëra tonëve kanabis mjekësor, për shkak të gjoja ruajtjes dhe magazinimit të papërshtatshëm.
Është një gënjeshtër e paturpshme se jam i lidhur në çfarëdo mënyre me rastet e kanabisit që u prezantuan para opinionit publik.
Është një gënjeshtër e paturpshme dhe e pacipë se kam telefonuar në Drejtorinë e Doganave.
Pa asnjë ndjenjë turpi, po aq të neveritshme janë edhe gënjeshtrat e tjera për mua, të cilat i përsërisin pothuajse çdo ditë që nga tërheqja ime nga politika, e veçanërisht në këto gati dy vite sa janë në pushtet, si ajo se po ndërtoj gjoja rrokaqiej prej 40 katesh në Dubai, se po ushtroj presion për blerjen e spitalit të dr. Zhan Mitrevit, se po ndërhyj në punën e organeve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera, si dhe një sërë trillimesh dhe konstruktesh të tjera.
Prej pesë vitesh po duroj fyerje të përditshme. Të gjithë e dinë se kurrë nuk kam dashur të padis, kam luftuar për lirinë e shprehjes. Nuk iu jam hakmarrë askujt për atë që më bënë më 27 prill në Kuvend, kurrë nuk e kam keqpërdorur pozitën politike, por tani mjaft është!
Nëse nuk kërkojnë falje brenda afatit të paraparë ligjor, do të parashtroj padi kundër Petrushevskit dhe VMRO-DPMNE-së. Do të luftoj me të gjitha mjetet ligjore për ta hequr këtë njollë nga emri im.

