Kamerat ndryshuan sjelljen në trafik

4 Min. Leximi

Gjatë periudhës 1-28 dhjetor 2025, në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut janë realizuar kontrolle të intensifikuara të trafikut nga njësitë policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e shkeljeve në komunikacion. Si rezultat i këtyre aktiviteteve, janë shqiptuar gjithsej 18.318 urdhërpagesa kundërvajtëse, prej të cilave 4.019 lidhen drejtpërdrejt me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar, duke konfirmuar se kjo mbetet një nga shkeljet më të shpeshta në trafik.

Gjatë kësaj periudhe, 123 persona janë privuar nga liria për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, 100 persona për tejkalim të shpejtësisë në zona të banuara, shtatë për tejkalim të shpejtësisë jashtë zonave të banuara dhe tre për drejtim mjeti në drejtim të ndaluar. Vetëm gjatë muajit dhjetor janë evidentuar 5.018 shkelje për parkim të papërshtatshëm, janë sanksionuar 1.843 drejtues automjetesh pa leje drejtimi, si dhe 679 raste të drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor, janë ndëshkuar 18 drejtues motoçikletash për mosmbajtje të kaskës mbrojtëse, si dhe 415 këmbësorë për shkelje të rregullave të qarkullimit. Gjithashtu, 1.046 persona janë sanksionuar për mospërdorim të rripit të sigurimit. Në bazë të Ligjit për Automjetet, nga trafiku janë larguar 322 automjete të paregjistruara dhe 172 automjete me defekte teknike, ndërsa 101 drejtues janë ndëshkuar për mosrespektim të kushteve ligjore lidhur me errësimin e xhamave të automjeteve. Ndërkohë, më 1 dhjetor në Shkup ka nisur periudha provuese e sistemit “Qyteti i Sigurt” (Safe City). Vetëm gjatë 12 orëve të para të funksionimit testues, sistemi ka regjistruar rreth 65.000 kundërvajtje, përfshirë 2.800 raste kalimi në dritë të kuqe dhe rreth 1.000 automjete të paregjistruara. Ky numër i lartë shkeljesh, sipas autoriteteve, ka dëshmuar domosdoshmërinë e vendosjes së këtij sistemi dhe nevojën urgjente për ndryshim të sjelljes së drejtuesve të automjeteve.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka deklaruar se rezultatet nga faza provuese tregojnë ulje të dukshme të shpejtësisë së vozitjes, veçanërisht në zonat urbane, si dhe rënie të numrit të aksidenteve të komunikacionit në Shkup. Sipas tij, veçanërisht është evidentuar zvogëlimi i aksidenteve me pasoja të rënda dhe me viktima, çka dëshmon për ndikimin pozitiv të sistemit në sigurinë rrugore.

Autoritetet vlerësojnë se qytetarët kanë shfaqur nivel më të lartë vetëdijesimi dhe përgjegjësie, duke respektuar kufizimet e shpejtësisë edhe gjatë periudhës provuese, pa zbatimin e plotë të masave ndëshkuese. Ministri Toshkovski ka theksuar se respektimi i shpejtësisë është faktor kyç për shpëtimin e jetëve, duke iu referuar statistikave ndërkombëtare që tregojnë se ulja e shpejtësisë rrit ndjeshëm mundësinë e mbijetesës në aksidentet rrugore.

Projekti “Qyteti i Sigurt” synon afatgjatë përmirësimin e kulturës së trafikut, rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion dhe uljen e dëmeve materiale dhe humbjeve njerëzore në rrugët e vendit. Sipas paralajmërimeve zyrtare, me funksionimin e plotë të sistemit nga 1 shkurti, pritet një përmirësim edhe më i madh i sigurisë rrugore dhe respektim më i lartë i rregullave të komunikacionit.(koha.mk)

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull