Shkarkohet drejtori i shkollës “26 Korriku”, kolektivi kundërshton vendimin dhe paralajmëron ankesë zyrtare

3 Min. Leximi

Pozita e drejtorit në shkollën fillore “26 Korriku” në komunën Shuto Orizarë është shndërruar sërish në mollë sherri mes vendimeve administrative dhe vullnetit të kolektivit të shkollës. Për herë të dytë brenda një periudhe të shkurtër, drejtori Driton Ganiu është shkarkuar nga detyra, duke ngjallur sërish revoltë te stafi arsimor. Një skenar thuajse identik me atë të qershorit të vitit 2023 ku kolektivi akuzon për lojëra politike dhe shkelje të ligjit. Zv. drejtori Sadri Arifi deklaroi se ky veprim është i papranueshëm, duke insistuar se Ganiu gëzon mandat legjitim dhe përkrahje absolute.

“Nuk mundet që për interesat e dikujt, kur ti kujtohet ta ndërroj drejtorin brenda natës kur drejtori ka mandat edhe katër vjet, të gjitha kushtet I plotëson plus kolektivi e përkrah…Kërkojmë që drejtorin Driton Ganiu sa më shpejt ta kthejnë në vendin e vet si drejtor që ne të funksionojmë e të punojmë si kolektiv edhe të kemi rezultate sepse në fund të fundit tash po afrohet edhe pushimi dimëror. Nuk kemi kohë me humb një javë, dy javë ose tre javë por kërkojmë sa më shpejt drejtori Driton Ganiu në vendin si drejtor”, tha Sadri Arifi, zv. Drejtor i ShFf “26 Korriku”.

Sipas pjesës dërmuese të stafit mësimor, shkaku i këtij ndryshimi raportohet të jetë një vendim i Gjykatës Administrative që rikthen në detyrë ish drejtoreshën Besare Sejdi. Megjithatë, mësimdhënësja Semiha Raka theksoi se ky vendim bie ndesh me realitetin në terren dhe me parimet e menaxhimit të mirë. Si kundërshtim ndaj këtij vendimi, stafi ka ndërmarrë hapa duke paralajmëruar ankesa zyrtare në Ministrinë e Arsimit dhe në Inspektoratin Shtetëror.

“Gjithashtu ju njoftojmë se stafi mësimor do të vazhdoj me protestën paqësore çdo ditë pune nga ora 7 deri në ora 9 të mëngjesit. Sot edhe kemi nënshkruar peticion kundër drejtoreshës që të mbetet drejtori ynë që e kemi. Ne të gjithë këtu jemi përafërsisht 150 punonjës prej të cilëve 140 janë nënshkruar për drejtorin që e kemi”, u shpreh Semiha Raka, mësuese.

Stafi mësimor i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe pushtetit lokal që ta pastrojnë këtë situatë njëherë e përgjithmonë. Sipas tyre, afrimi i pushimeve dimërore e bën edhe më urgjent rikthimin e Driton Ganiut në vendin e punës, për të shmangur humbjen e sukseseve në procesin edukativo-arsimor për 2200 nxënësit e kësaj shkolle. Kryetari i Komunës së Shuto Orizarë, Kurto Dudush nuk pranoi të komentoj shkarkimin e drejtori Ganiu me arsyetimin se ishte në mbledhje. /Alsat.mk

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull