Revoltë nga radhët e ish-luftëtarëve: Sakip Fetai shpërthen ndaj Ali Ahmetit pas Kongresit të BDI-së

3 Min. Leximi

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sakip Fetai, ka reaguar ashpër pas mbajtjes së Kongresit të BDI-së, duke i drejtuar një status publik liderit të kësaj partie, Ali Ahmeti, ku shpreh zhgënjimin e thellë dhe distancimin e plotë nga subjekti politik që, sipas tij, ka humbur çdo lidhje me idealet çlirimtare.

Fetai thekson se reformat brenda një partie politike janë të domosdoshme, veçanërisht pas zgjedhjeve, por sipas tij, kahja që ka marrë BDI-ja pas zgjedhjeve lokale është e gabuar dhe në kundërshtim të plotë me vlerat mbi të cilat është ndërtuar. Për këtë arsye, ai njofton se ka ndërprerë çdo kontribut të mëtejmë ndaj partisë.

Në reagimin e tij, Fetai kritikon faktin se në radhët dhe në proceset reformuese të BDI-së nuk ka më asnjë ish-luftëtar, ndërsa partia që, sipas tij, u ndërtua nga “ushtarët e lirisë”, sot udhëhiqet nga njerëz që përfituan nga pushteti dhe pasurimi familjar, duke e shndërruar atë në një strukturë klanore dhe nepotiste.

Ai akuzon udhëheqjen se ka humbur identitetin politik dhe ideologjik, duke e larguar partinë nga gjeneza e saj çlirimtare dhe duke e shndërruar në një subjekt pa program të qartë dhe pa përfaqësim real të ish-luftëtarëve. Sipas Fetait, kryesia e re është vetëm një riciklim i figurave të vjetra përmes pasardhësve të tyre.

Në një ton të ashpër, Fetai i drejtohet Ali Ahmetit si “komandant i një ushtrie të vdekur”, duke e akuzuar se reformat po bëhen sipas vullnetit të kryeministrit Hristijan Mickoski, vetëm për të mbetur pjesë e qeverisë, dhe jo për interesin e ish-ushtarëve apo të popullit shqiptar.

“Na deshe për interesat tua personale, grupore dhe klanore, jo për idealin dhe sakrificën që e bëmë të gjithë ne”, shkruan Fetai, duke shtuar se edhe pas 24 vitesh nga lufta, ai vetë ka mbetur i papunësuar dhe i parehabilituar.

Në fund të reagimit, ish-ushtari i UÇK-së paralajmëron se populli shqiptar di të vlerësojë dhe nuk gabon për herë të tretë, duke aluduar në zgjedhjet e ardhshme. Ai e mbyll mesazhin me thirrjen:
“Rroftë UÇK-ja dhe gjithë luftëtarët e lirisë. Rroftë populli shqiptar”.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull