Në takim u shqyrtua progresi dhe hapat e ardhshëm për përfundimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjeve Kolektive me pesë universitetet shtetërore. Palët theksuan rëndësinë e përfundimit të këtij procesi brenda afateve të parapara, duke e konsideruar atë si një hap të domosdoshëm për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe përmirësimin e statusit të punonjësve akademikë.
Kryetari Gashi nënvizoi se Kuvendi është plotësisht i angazhuar dhe vepron me prioritet për përmbylljen e këtij procesi: “Nënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive është një qëllim i lartë edhe për mua personalisht, por mbi të gjitha është thelbësor për profesorët dhe për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë.”
Në anën tjeter, profesorët përfaqësues të sindikatave, e vlerësuan Kryetarin e Kuvendit Gashi për angazhimin e vazhdueshëm, qasjen konstruktive dhe qëndrimin konsekuent në mbështetje të univeristeteve, duke nënvizuar veprimin ekspeditiv të Kuvendit në adresimin e kërkesave të tyre si një shembull të mbështetjes institucionale.
“Ju jeni kryetari I parë I Kuvendit që I dolët në krah të gjitha universiteteve për nënshkrimin e Marrëveshjeve Kolektive, kjo na jep besim se procesi do të përfundojë me sukses,” potencoi një nga përfaqësuesit.
Palët u pajtuan që të intensifikojnë punën dhe të përgjigjen obligimeve të tyre në kohë për të ardhur tek realizimi i angazhimit të përbashkët për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në vend.

