Kryeministri në detyrë Albin Kurti, iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë. I pyetur për qëndrimin e tij të vazhdueshëm në Mitrovicë, Kurti tha se gjatë kësaj fushate ka punuar me tri ndërrime dhe se është përpjekur të vëzhgojë përgatitjet për zgjedhje.
“Gjatë kësaj fushate unë kam punuar në tri ndërrime anë e mbanë Komunave të Kosovës. Jam përpjekur të vëzhgoj të gjitha përgatitjet për zgjedhje. Zgjedhjet komunale janë jo më pak të rëndësishme sesa ato parlamentare e qendrore. Tejet e rëndësishme për mirëqenien e dinjitetin, dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve. Fletëvotimi ishte i thjeshtë i kishte vetëm dy emra. Njëri prej tyre medeomos do të fitojë në mbrëmje”, deklaroi Kurti para mediave.
Tutje ai tha se zgjedhjet sot po mbahen në më pak se gjysma e komunave në numër.
“Ditë e mirë për demokracinë dhe lirinë. Posa votova këtu në Prishtinë në ndërtesën e Fakultetit Juridik. Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote të bëhen pjesëmarrës për zgjedhjen e kryetarëve. Gjithçka do të shkoj mbarë e mirë. KQZ-ja ka bërë të gjitha përgatitjet. Komisionerët e vëzhguesit tashmë ndodhen në qendrat e votimit. 18 komunat ku mbahen zgjedhjet sot në balotazh janë më pak se gjysma e komunave të Kosovës por nëse e shikoni se për cilat komuna bëhet fjalë është e qartë se janë mbase mbi 80 për qind e popullsisë së Republikës”, deklaroi Kurti.

