Me përfundimin e fazës së grupeve, të gjithë të apasonuarit pas sportit të futbollit kanë patur mundësinë të mësojnë përballjet e raundit të 1/8-ve, të Kupës së Afrikës, ku nuk kanë munguar as përballjet, që në “letër” duken spektakolare dhe që pritet të largojnë minimalisht 2 favoritë për fitimin e këtij trofeu, nga gara.
Kështu, “Shqiponjat” e Nigerisë do të përballen me “Luanët” e Kamerunit, në përballje që do të çelë siparin e këtyre sfidave dhe padyshim është një nga më të bukurat, me Osimhen me shokë, që do të kërkojnë të vazhdojnë qëndrimin në këtë kompeticion, pasi në rast kalimi në raundin tjetër, si kundërshtarë do të kenë fituesin e çiftit Angola-Namibia.
Më tej Kepi i Gjelbër do të sfidojë Mauritaninë, në një përballje tejet delikate për të dyja skuadrat, me të dyja këto kombëtare, që në fazën e grupeve eleminuan ekipe pretendente për fitimin e trofeut, si Gana e Algjeria. Megjithatë rrugëtimi nuk pritet të jetë i gjatë, pasi në raundin e radhës fituesi i këtij çifti me shumë mundësi do të ketë Marokun, në rast se këta të fundit do të arrijnë të kalojnë mbi përfaqësuesen e Afrikës së Jugut,
Në përballjen tjetër, Mali do të ndeshet me Kombëtaren e Burkina Fasos, ndeshje kjo e ekuilibruar, ku mund të thuhet se të dyja këto skuadra kanë pak a shumë të njëjtat karakteristika dhe gjithçka mbetet e hapur. Fituesi i kësaj sfide do të përballet me fituesin e supersfidës së raundit të 1/8-ve, Senegal-Bregu i Fildishtë, me “Elefantët”, organizatorë të kompeticionit, që do të kërkojnë surprizën e madhe përballë skuadrës së Sadio Mane.
Ndërkaq, në 2 përballjet e fundit, Kombëtarja e Egjiptit, e cila vuan mungesën e “faraonit” të tyre, Mohamed Salah do të sfidojë “Gorillat” e Kongos, në një përballje, ku pritet gjithçka dhe mjaft lojë e tensionar, ndërsa në përballjen e fundit të kësaj faze, skuadra e Guinesë Ekuatoriale do të përballet me Guinean, me këta të fundit, që do të shfrytëzojnë prezencën e “bomberit”, Serhou Guirassy për të avancuar sa më shumë të jetë e mundur në këtë kompeticion.