Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, e ka vlerësuar vizitën e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Ballkanin Perëndimor si një mesazh të fuqishëm për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian ndaj rajonit, për partneritetin dhe për perspektivën e qartë evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Sot në Shkup diskutuam për përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit tonë dhe për thellimin e Planit të Rritjes. E mirëpresim iniciativën e re për inteligjencën artificiale, përkatësisht njoftimin që Maqedonia e Veriut të jetë një nga dy qendrat (‘antenat’) e IA-së në Ballkan, që do të bëhet pjesë e rrjetit evropian për inovacion dhe zhvillim të teknologjive moderne,” deklaroi Murtezani.
Ai shtoi se Maqedonia e Veriut ka vend të merituar në të ardhmen evropiane që po ndërtohet sot dhe se institucionet e vendit do të vazhdojnë me përkushtim në rrugën euroatlantike, me vizion të qartë për një Maqedoni të qëndrueshme, moderne dhe evropiane.
