Kontenjerë me mijëra dronë luftarakë kamikazë “Skydagger” mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, transmeton Anadolu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri të ditur se për këtë u nënshkrua në dhjetor të vitit 2024 kontrata me kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit “Skydagger”.
Kurti tha se dhjetëra ushtarakë të FSK-së tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre.

“Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët. Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger, të prokuruar nga ne, janë dronë luftarakë të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”, shkroi Kurti.
Ai tha se me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas “TB2 Bayraktar” dhe fluturakeve “Puma”, po vazhdohet të ngrihet dhe shtohet fuqia goditëse e ushtrisë kosovare me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore.