Komuna e Gostivarit ka shënuar një rënie të ndjeshme në Indeksin e Transparencës Aktive për vitin 2025, duke u renditur në vendin e 91-të nga gjithsej 101 institucione publike në vend. Me vetëm 58.6 për qind të përmbushjes së kritereve për transparencë, kjo përfaqëson një rënie prej 10 pikë përqindje brenda një viti – një nga më të mëdhatë në shkallë republike.
Kandidati i pavarur për kryetar komune, Visar Ademi, e cilësoi këtë rezultat si “alarmant” dhe një dëshmi të qartë për mungesën e qeverisjes së hapur, mungesën e përgjegjësisë publike dhe neglizhencën ndaj qytetarëve nga pushteti aktual lokal. Ai theksoi se, ndonëse komuna si Bërvenica dhe Tetova kanë arritur nivele të larta transparence – përkatësisht 94.2% dhe 81.4% – Gostivari ndodhet në fund të listës bashkë me komuna si Bogovina dhe Vrapçishti, duke treguar për një gjendje serioze të mosfunksionimit institucional.
Sipas Ademit, ky raport nuk është vetëm një statistikë teknike, por një pasqyrë reale e përvojës së përditshme që qytetarët e Gostivarit e përjetojnë çdo ditë. Ai përmendi vendimmarrje të fshehta pa konsultim publik, mungesën e aksesit në informacion mbi buxhetin dhe menaxhimin e dobët të resurseve të përbashkëta, si disa nga problemet më të mëdha që po përkeqësojnë lidhjen mes qytetarit dhe administratës.
Një nga shqetësimet më të mëdha që Ademi ngriti ishte fakti se kryetari aktual i komunës nuk ka dorëzuar deklaratën e gjendjes së pasurisë, të njohur si lista anketuese – një obligim ligjor për çdo funksionar publik. “Pse nuk është dorëzuar lista anketuese? Çfarë po fshihet nga qytetarët? Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje të menjëhershme,” deklaroi ai.
Duke paraqitur vizionin e tij për një Gostivar të ri dhe ndryshe, Ademi tha se transparenca, pastërtia dhe siguria janë tri shtyllat mbi të cilat ai synon të ndërtojë administratën e ardhshme komunale. Lufta kundër korrupsionit, një zgjidhje e qëndrueshme për menaxhimin e mbeturinave dhe trajtimi i çështjes së qenve endacakë, janë sipas tij çështje emergjente që kërkojnë vullnet politik dhe veprim të menjëhershëm.
“Nuk mund të kemi zhvillim pa transparencë dhe pastërti – këto janë themeli i çdo pushteti që respekton qytetarët,” theksoi Ademi, duke shtuar se qyteti ka nevojë për një drejtim të ri, të ndershëm dhe llogaridhënës.
Në përmbyllje, ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 19 tetor të votojnë për një rrugë të re për Gostivarin – për një komunë që vepron hapur, një administratë që i shërben interesit publik dhe një qytet të liruar nga korrupsioni, papastërtia dhe pasiguria. “Ky është angazhimi im: një Gostivar që e meriton çdo qytetar,” përfundoi Visar Ademi.