Edhe një rast tjetër të helmimit të një fëmije në Kumanovë, evidenton SPB Kumanovë. Bëhet fjalë për një fëmijë dy vjeçar nga fshati Hotël i Likovës i cili kishte marrë një tabletë. Nga spitali thanë se fëmija është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Dje në orën 15:20 në SPB Kumanovë, nga Spitali i përgjithshëm i Kumanovës është raportuar se tek ata është dërguar një fëmijë dy vjeçar nga fshati Hotël, komuna e Likovës, i cili ka pirë një tabletë. Ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, kumtoi policia.
Nga spitali i Kumanovës konfirmuan se fëmija është pranuar dje në pediatri.
“Pas ekzaminimit të kryer nga ana e mjekut kujdestar, fëmija është stabilizuar, i është dhënë terapia e nevojshme. Për momentin është në gjendje stabile. Është ofruar hospitalizim, prindërit nuk kanë dashur, dhe është lëshuar në gjendje të mirë shëndetësore”, deklaroi drejtori i spitalit”, Sasho Stoshevski.
Në gusht të këtij viti në spital është dërguar një fëmijë katër vjeçar i cili ka pirë detergjent. Në korrik sërish, kishte dy raste të fëmijëve të helmuar, me barna, i pari ishte një foshnje një vjeçare, gjithashtu nga fshati Hotël, disa ditë më vonë një foshnje nëntë muajshe nga Kumanova.