Gjuriq: Kemi befasi për çështjen e Kosovës

3 Min. Leximi

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Serbia po është duke punuar qe sa vite që ta ndryshojë qëndrimin e një pjese të komunitetit ndërkombëtar për situatën në Kosovë. E sipas tij, Serbia “ka përgatitur edhe më shumë befasi”, duke e ndërlidhur këtë me fushatën e Serbisë për çnjohje të Kosovës.

“Nuk e kemi neglizhuar aspektin e njohjeve ndërkombëtare”, ka thënë ai në një intervistë për Radio Televizionin e Vojvodinës.

- Advertisement -

Në këtë intervistë, Gjuriqi ka komentuar vendimin e administratës amerikane për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën. Sipas tij, ndikimi i vendimit është i madh e ai ka thënë se kjo tregon se edhe partnerët e Kosovës “nuk po i përkrahin vendimet e Kurtit ndaj serbëve në Kosovë”.

- Advertisement -

“Kemi arritur në një situatë ku sot, kemi gjendjen në të cilën disa shtete që e përkrahin fuqishëm të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës, tash po flasin zëshëm dhe shumë qartë kundër asaj që po e bën regjimi i Kurtit, dhe jo vetëm me postime në rrjete sociale. Prandaj mendoj se ajo që ka vendosur ta bëjë së fundmi administrata amerikane, që të pezullojë deri në njoftim të ardhshëm dialogun strategjik me të ashtuquajtura institucione të Kosovës, është vendim shumë i rëndësishëm. Sepse ka ndikime direkte në skenën politike në Prishtinë, në prag të zgjedhjeve lokale. E shoh këtë si mesazh për të gjithë popullin e Kosovës, se politika e spastrimit të pranisë serbe në Kosovë është politikë kundër normalizimit të raporteve”, ka thënë ai.

Gjuriqi ka përsëritur pretendimin e hedhur poshtë nga disa shtete, se 28 shtete kanë tërhequr njohjet ndaj Kosovës në 12 vjet.

Gjuriqi ka thënë po ashtu se pika e Marrëveshjes së Ohrit, e cila obligon Serbinë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës nëpër organizata ndërkombëtare, ka qenë “e papranueshme për Serbinë” që nga fillimi.

“Për Serbinë, pranimi i Prishtinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është absolutisht i papranueshëm. Dhe këtë presidenti Vuçiq e ka thënë disa herë. Dhe po e përsëris zyrtarisht edhe sot”, ka thënë ai.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull