Kandidati i VLEN-it për komunën e Likovës, Nexhmedin Sadiku, në konferencën e tij me qytetarët ka akuzuar BDI-në për mbi dy dekada keqqeverisje, duke theksuar se komuna ka mbetur pa ujë të pijshëm, pa kanalizim dhe e mbytur në mbeturina.
“Komuna e jonë, e cila i dha më së shumti shqiptarisë atëherë kur kishte nevojë, mori më së paku në më shumë se 20 vite keqqeverisje të BDI-së në nivel qendror dhe lokal. Likova u bë shembull i pabarazisë në zhvillim, i ndarjes së padrejtë të buxhetit, i neglizhencës e i papërgjegjësisë”, deklaroi Sadiku.
Ai theksoi se premtimet e dhëna nga pushteti për ujësjellës, kanalizim dhe pastrimin e deponive nuk janë përmbushur:
“Premtuan infrastrukturë, kulturë e sport, ndërsa e lanë Likovën pa nevojat themelore: pa ujë të pijshëm, pa kanalizim, të mbytur në mbeturina e të helmuar nga deponi. Asnjërën nuk e bënë.”
Sadiku u shpreh se për vetëm një vit qeverisje, VLEN ka dëshmuar investime të prekshme në komunë:
“Qeveria financoi me 1,8 milion euro rrugën Orizare – Sllupçan, ndau 30 milionë denarë për rikonstruimin e rrugës Gllazhnje-Gushincë, 5 milionë denarë për fushën sportive në Ropalcë dhe mbi 110 milionë denarë për rrugë lokale në Likovë, Nikushtak, Vaksincë dhe Sllupçan. Të gjitha këto në vetëm një vit qeverisje.”
Kandidati i VLEN-it premtoi ujë të pijshëm për çdo familje brenda vitit të parë të mandatit:
“Me mbështetjen e Qeverisë, të sigurojmë ujë të pijshëm për çdo familje të fshatrave të Likovës brenda vitit të parë. Secili qytetar i Likovës meriton dinjitet, jo të përballet me mungesë elementare të ujit, edhe atë në Likovën e dy pendave.”
Ai paralajmëroi edhe pastrimin e deponive dhe përfundimin e kanalizimit për gjithë komunën:
“Të heqim deponitë nga vendbanimet tona, ta pastrojmë tokën nga arseni dhe ta ndalim katastrofën ekologjike dhe shëndetësore që po na rrezikon çdo ditë.”
Në fund, Sadiku i bëri thirrje qytetarëve që më 19 tetor të votojnë për ndryshimin:
“19 tetori është dita kur mund ta ndalim këtë nënçmim. Ju i keni pa këta që ishin 20 vjet, na keni pa edhe neve. Do të zgjedhim dinjitetin, krenarinë, zhvillimin dhe respektin për Likovën. Ky është kombinimi me të cilin Likova fiton!”