BDI: Për herë të parë që nga viti 1995, asnjë kadet shqiptar në Akademinë Ushtarake

2 Min. Leximi

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) akuzon se këtë vit në Akademinë Ushtarake nuk është pranuar asnjë kadet shqiptar, gjë që sipas kësaj partie ndodh për herë të parë që nga themelimi i institucionit në vitin 1995. BDI fajëson koalicionin qeverisës VLEN dhe Qeverinë për atë që e quan shkelje të parimit të përfaqësimit të drejtë.

Në një kumtesë për media, BDI e cilëson rastin si “turpin e radhës të VLEN-it” dhe thotë se “praktika me zero shqiptarë vazhdon në Akademinë Ushtarake”.

“Për herë të parë që nga themelimi i Akademisë Ushtarake në vitin 1995 nuk pranohet asnjë kadet shqiptar. Ky fakt ngre pikëpyetje serioze për rolin dhe ndikimin e VLEN-it në institucionet shtetërore, ku përfaqësimi i shqiptarëve duhet të jetë jo vetëm parim deklarativ, por edhe realitet institucional”, thuhet në reagim.

Sipas BDI-së, përgjegjësia nuk bie vetëm te VLEN-i, por edhe te Qeveria, e cila “duhet të kuptojë se mirëbesimi ndërmjet partnerëve politikë nuk ndërtohet përmes deklaratave, por përmes respektimit të barazisë, përfaqësimit dhe marrëveshjeve politike”.

Partia opozitare shton se raste të tilla cenojnë frymën e Marrëveshjes së Ohrit, dobësojnë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe vënë në pikëpyetje marrëdhëniet ndëretnike.

“VLEN-i duhet të japë përgjigje: Ku mbeti përfaqësimi që premtohej? Sepse kështu nuk ndërtohet mirëbesimi, nuk respektohet përfaqësimi dhe nuk forcohet bashkëjetesa institucionale. Kështu nuk përfaqësohen shqiptarët!”, thekson BDI.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull