Humbja në zgjedhjet e fundit, ka hapur një përplasje të fortë politike në Izrael, ku kryeministri Benjamin Netanyahu po përballet me akuza se po përpiqet të delegjitimojë rezultatin dhe të pengojë largimin e tij nga pushteti.
Në qendër të polemikave është përfshirja e shërbimit të brendshëm të inteligjencës, Shin Bet, në hetimet për votën palestineze.
Më shumë se një javë pas zgjedhjeve, të cilat e lanë bllokun e Netanyahut pas opozitës, drejtori i Shin Bet, David Zini, raportohet se ka drejtuar hetime mbi pretendimet për manipulim të votave, ryshfet dhe ndërhyrje të huaja.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë publike prova që të mbështesin akuzat për manipulime elektorale të përhapura.
Hetimet përkojnë me përpjekjet e Netanyahut për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e partive palestineze Ra’am dhe Lista e Përbashkët, të cilat së bashku siguruan 19 vende në Knesset, një rezultat i paprecedentë.
Mobilizimi i lartë i qytetarëve palestinezë të Izraelit, ishte një prej zhvillimeve më të rëndësishme të zgjedhjeve.
Të martën, Shin Bet arrestoi Abd Abu Shahadeh, bashkëpunëtor i medias Middle East Eye, duke e justifikuar veprimin me një hetim të lidhur me sigurinë. Mediat izraelite raportuan gjithashtu se Zini kërkon të marrë në pyetje disa drejtues politikë palestinezë, mes tyre Ahmad Tibi, Sami Abou Shahadeh, Mansour Abbas dhe Ayman Odeh.
Reagimet e opozitës kanë qenë të ashpra. Yair Golan, drejtues i partisë Demokratët, paralajmëroi se demokracia izraelite ndodhet nën kërcënim. Ai akuzoi policinë se po ndalon aktivistë politikë pa urdhër dhe Shin Bet se po përpiqet të marrë në pyetje përfaqësues të zgjedhur pa paraqitur prova.
Më vonë, Golan e cilësoi sjelljen e kryeministrit si përpjekje për të kryer një grusht shteti dhe për të mbajtur pushtetin me forcë.
Ish-kryeministri Yair Lapid bëri akuza të ngjashme, duke pretenduar se Netanyahu po përpiqet të shkatërrojë demokracinë dhe të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve përmes personave të vendosur në institucionet e sigurisë.
Edhe Gadi Eisenkot, drejtues i bllokut opozitar, paralajmëroi për një përpjekje të organizuar për të sabotuar demokracinë, përmes nxitjes së dhunës ndaj përfaqësuesve të zgjedhur dhe dobësimit të institucioneve ligjzbatuese.
Kritikat nuk janë kufizuar vetëm te politikanët. Gazetari i Haaretz, Amos Harel, shkroi se kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij po e çojnë Izraelin drejt krizës më të rëndë kushtetuese në historinë e vendit.
Ai e përshkroi situatën si një përpjekje për ndryshim të regjimit, duke përmendur përdorimin e shërbimeve sekrete, nxitjen kundër pakicave, kërcënimet për dhunë dhe refuzimin për të pranuar rezultatin elektoral.
Gazetarë të tjerë, përfshirë Moshe Gorali të Calcalist dhe Ronen Bergman të Ynet, kanë shprehur shqetësime të ngjashme. Gorali argumenton se refuzimi për të njohur rezultatin përbën një përshkallëzim të rëndë, ndërsa Bergman e përshkroi situatën si një përpjekje për grusht shteti.
Shin Bet në qendër të krizës
Komiteti Qendror i Zgjedhjeve ia dorëzoi zyrtarisht rezultatet presidentit Isaac Herzog, duke rrëzuar pretendimet për mashtrim të gjerë elektoral. Megjithatë, hetimet e Shin Bet vazhduan.
Sipas Ynet, u shqyrtuan më shumë se 1.000 pretendime për manipulim të zgjedhjeve, por asnjëri nuk u konsiderua i besueshëm. Haaretz raportoi se vetëm një hetim i lidhur me zgjedhjet kishte nisur përpara ditës së votimit, ndërsa të tjerat u hapën pasi u bë e qartë se blloku i Netanyahut kishte humbur.
Një burim nga organet ligjzbatuese, i tha Channel 13 se Zini po përmendte emra pa prova dhe po përsëriste argumentet e partisë Likud. Sipas tij, kjo ka shkaktuar një nga krizat më serioze të besimit ndaj Shin Bet në dekadat e fundit.
Edhe mënyra e drejtimit të hetimeve ka ngritur pikëpyetje. Channel 12 raportoi se ato po mbikëqyren nga zëvendësi i Zinit, i përshkruar si një person shumë i afërt me Netanyahun, pavarësisht rezervave të zyrtarëve ligjzbatues për mungesën e provave të mjaftueshme për të ngritur akuza. \tesheshi.com\

