Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, depozitoi sot në Kuvend amendamentin për buxhetin me anë të të cilit kërkohet ndihmë ushtarake për Kosovën rreth 5 miliardë lekë në vit (rreth gjysmë milioni euro) duke filluar nga viti 2024.
Në relacionin shpjegues të amendamentit, Basha shprehet se ndihma bëhet e domosdoshme për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë, duke marrë parasysh situatën e tensionuar të sigurisë në Republikën e Kosovës nën dritën e fakteve të një acarimi të paprovokuar të gjendjes së sigurisë nga Serbia, shkruan TRT Balkan Albania.
“Kjo ndihmë financiare ka për synim forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit dhe tërësisë territoriale në një kohë në të cilën Republika e Serbisë po riarmatoset me objektiva të deklaruara për ndërhyrje ushtarake në Kosovë në momentin kur konjuktura politike do ta mundësonte këtë veprim”, shprehet Basha.
Sipas tij, sulmi terrorist i 24 shtatorit në Kosovë nuk ishte incident i izoluar.
Basha vijon me një analizë të situatës në rajon, ndërsa shprehet se ndërkohë që përfaqësues të lartë të vendeve aleate kanë bërë të qartë se objektivat pas sulmit terrorist të Banjskës përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin, autoritetet më të larta të Kosovës kanë ngritur shqetësimin se 3 nga 4 brigadat e këmbësorisë së forcave të armatosura serbe janë pozicionuar në 48 baza operacionale përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës, në pritje të një konjukture të volitshme për ndërhyrje ushtarake.
“E gjithë kjo tregon se duhet vepruar pa humbur kohë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës. Disa nga vendet aleate kanë hedhur hapa aktivë në forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Por, në ndihmë të Kosovës dhe mbështetjen e aleatëve të saj duhet të renditet edhe Shqipëria”, shprehet Basha.
Amendamenti i propozuar prej tij kërkon uljen e investimeve kapitale jo të domosdoshme dhe miratimin e një shtesë zëri “ndihmë financiare ushtarake për Republikën e Kosovës” në masën 5 miliardë lekë.