Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç i cili ndodhet në Pekin për të ndjekur paradën ushtarake Kineze që përkujton Fundin e luftë së Dytë Botërore takoi këtë të martë Presidentin Rus Vladimir Putin. Në një dalje të përbashkët për mediat, Kreu i Shtetit Serb iu zotua homolgut të tij rus për besnikëri. Aleksandër Vuçiç u shpreh se Beogradi do të rezistojë dhe nuk do të pranojë imponimin e perëndimit për të sanksionuar Moskën mbi luftën e saj në Ukrainë.
“I nderuar Zoti President, që nga fillimi i krizës Ukrainase, Serbia ka qenë në një situate shumë të vështirë dhe nën presion të madh. Megjithatë, ne arrijmë të ruajmë qëndrimin tone parimor, për të mbrojtur sovranitetin e Serbisë. Tani jemi i vetmi vend në Europë që nuk vendosi kurrë sanksione ndaj Rusisë. Ne do të ruajmë edhe në të ardhmen neutralitetin ushtarak”, tha Vuçiç.
Presidenti Rus Vladimir Putin falenderoi Vuçiç duke thënë se vlerësonte kursin e pavarur të politikës së jashtme Serbe nën drejtimin e tij.
Marrëdhëniet mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin kanë qenë dhe vijojnë të mbeten të ngushta bazuar në lidhje historike, politike dhe energjetike mes dy vendeve .
Beogradi zyrtar i cili synon anëtarësimin në Bashkimin Europian nuk ka ndjekur kursin e Perëndimit sa i përket politikës së jashtme për të ndëshkuar Rusinë mbi pushtimin e saj të paligjshëm ndaj Ukrainës. Diçka e tillë ka sjellë jo pak here kritik të Brukselit zyrtar, megjithatë Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç është shprehur i bindur se vendi i tij do të anëtarësohet në Bashkimin Europian./abcnews.al