Deputeti i Alternativës dhe koalicionit VLEN, Bekim Sali, në përvjetorin e Masakrës së Lubotenit, ka thënë se kjo dhunë kishte emra dhe përgjegjës. Sipas tij, njeri prej përgjegjësve kryesor ishte Lube Boshkovski, i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm, ndërsa më pas, të njëjtit BDI i hapi dyert në skenën politike dukie mbështetur kandidaturën e Teuta Arifit për kryetare të Tetovës.
“Sot, në përvjetorin e Masakrës së Lubotenit, përkujtojmë me dhimbje dhe nderim 10 civilët shqiptarë të pafajshëm të vrarë më 12 gusht të vitit 2001, mes tyre edhe një fëmijë vetëm 6 vjeç. Kujtojmë shtëpitë e djegura, lotët e familjarëve dhe tmerrin e atyre ditëve, kur dhuna shtetërore u vu në shërbim të frikës dhe terrorit ndaj një popullsie të tërë.
Kjo dhunë kishte emra dhe përgjegjës. Njëri prej tyre ishte Lube Boshkovski , atëkohë ministër i Brendshëm, e në kujtesën e shqiptarëve, simbol i politikës së dhunës, krimeve kundër civilëve dhe i urrejtjes etnike të institucionalizuar.
Por më tronditëse se heshtja është kur krimi ftohet në skenën politike. Në vitin 2017, në mes të Tetovës, para syve të nënave që ende qajnë bijtë e tyre, BDI e Ali Ahmetit i hapi dyert dhe skenën politike vetë Lube Boshkovskit, për të mbështetur kandidaturën e Teuta Arifit për kryetare komune. Një akt i papranueshëm që i shkel mbi gjakun e të vrarëve dhe përbuz dhimbjen e një kombi.
Kjo nuk është politikë. Kjo është shkelje e dinjitetit dhe fyerje për historinë tonë të përgjakur.
VLEN nuk do të lejojë që historia të përdhoset për interesa elektorale. Ne jemi këtu për të thënë të vërtetën, për të ruajtur kujtesën, dhe për të kërkuar drejtësi, jo për të bërë pazare me kujtimet e dhimbshme të popullit tonë.
Historia nuk është dekor elektoral.
Dinjiteti nuk blihet me vota.
Gjakun e Lubotenit nuk e lan dot asnjë aleancë politike”, ka shkruar Sali.
Bekim Sali: BDI ia hapi dyert Lube Boshkovskit, përgjegjësit kryesor për Masakrën e Lubotenit

Ndani këtë artikull