Fetai padit Qamil Kovaçin për shpifje: Shihemi në gjykatë

2 Min. Leximi

Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, ka reaguar ashpër ndaj një postimi të një ish funksionarit të BDI-së, Qamil Kovaçi, i cili, sipas tij, ka shpërndarë një deklaratë të rreme duke keqpërdorur fotografinë e tij dhe logon e VLEN-it për të manipuluar opinionin publik.

Në reagimin e tij publik, Fetai e ka cilësuar këtë si “një shpifje të ulët dhe një sulm ndaj dinjitetit personal”, duke theksuar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur nderin e tij.

- Advertisement -

“Kur një i vetëquajtur ‘profesor,’ i paguar nga taksat tona, bie në këtë nivel rrugaçërie, kjo tregon jo vetëm dështimin e tij personal, por edhe gjendjen e mjerueshme të sistemit që BDI-ja e ka instaluar për dy dekada me radhë”, ka shkruar Fetai.

- Advertisement -

Ai gjithashtu ka kujtuar se, sipas informacioneve në media, Kovaçi është përmendur për skandale dhe sjellje të papranueshme gjatë kohës kur ka drejtuar Spitalin Psikiatrik të Bardovcës. Sipas Fetait, veprimet e fundit të Kovaçit tregojnë frikën se do t’i ndalen abuzimet dhe interesat që, sipas tij, BDI-ja i ka mbrojtur për vite me radhë.

“Unë nuk do të lejoj që shpifja, gjuha e urrejtjes dhe mashtrimi të bëhen normë në shoqërinë tonë. Qamil Kovaçi, ti dhe çdo kush tjetër që zgjedh rrugën e shpifjes, do të përballeni me pasojat. Shihemi në gjykatë”, ka përfunduar zëvendëskryeministri.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull