Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka reaguar ndaj akuzave të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) mbi të ashtuquajturin përjashtim të gjuhës shqipe dhe diasporës shqiptare nga anketa e Qeverisë për diasporën.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Fetai ironizoi deklaratat e BDI-së, duke i quajtur ato një tjetër manipulim nga “përfaqësuesit e Botës Serbe dhe mjeshtrit e fake news-it të listave të zeza amerikane”.
“Përfaqësuesit e ‘Botës Serbe’ dhe mjeshtrit e fake news-it të listave të zeza amerikane, ishin ‘shqetësuar’ tej mase sepse një OJQ maqedonase nuk e paskësh përdorur gjuhën shqipe në një anketë për diasporën. Si zakonisht, shqetësimi i tyre rezultoi një blof i radhës, një fake news i radhës. A bre non grata, po të ligë jeni”, ka shkruar Fetai.
Ai gjithashtu ka shfrytëzuar rastin për t’u bërë thirrje shqiptarëve të diasporës që të marrin pjesë në këtë anketë, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së tyre në proceset që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit.
Reagimi i Fetait vjen pas deklaratës së BDI-së, e cila akuzoi Qeverinë për diskriminim etnik dhe institucional, duke kërkuar tërheqjen dhe rikonceptimin e anketës në përputhje me karakterin shumetnik të shtetit dhe respektimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare.