Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati, ka reaguar ashpër ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, duke e akuzuar atë për mospërmbushje të premtimeve dhe mosrealizim të projekteve në këtë komunë, ndonëse, siç thotë ai, për katër vite janë mbledhur gati 18 milionë euro nga taksat dhe tatimet e banorëve të Çairit.
“Ua morën banorëve të Çairit gati 18 milionë euro për 4 vite dhe asnjë projekt nuk e realizuan! Këto janë faktet se çka u premtoi kryetarja e Qytetit të Shkupit banorëve të Çairit para zgjedhjeve dhe nuk realizoi asnjë nga premtimet, edhe pse ua mori gati 18 milionë euro nga taksat, tatimet dhe kompensimet e ndryshme komunale”, ka shkruar Nevzati në rrjetet sociale.
Ai ka theksuar se, nga ana tjetër, Komuna e Çairit ka arritur të absorbojë rreth 12 milionë euro nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe të fillojë realizimin e rreth 30 projekteve me rëndësi jetike për banorët.
Nevzati ka publikuar edhe listën e projekteve që, sipas tij, kryetarja e Qytetit të Shkupit ua kishte premtuar banorëve të Çairit, por që nuk janë realizuar, mes të cilave:
– Zgjerimi dhe rekonstruksioni i bulevardit Cvetan Dimov me korsitë shtesë dhe mbikalim nga ura e Bit Pazarit deri te rruga Hristijan Todorovski Karposh.
– Ulja e çmimit të parkimit për 25% dhe ndërtimi i garazheve të reja në Çairçanka, te ambulanca në Çair dhe në Fushë Tophanë.
– Ndërtimi i krahu të ri të rrugës Boca Ivanova nga rrethrrotullimi deri te rruga Hristijan Todorovski Karposh.
– Ndërtimi i mbikalimit nga rruga Llazo Trpovski deri te rruga Boca Ivanova në Butel.
– Zgjerimi i rrugës Brigada Maqedono-Kosovare në Çair.
– Ndërtimi i parqeve të reja zbavitëse në Çair, Gazi Babë dhe Aerodrom.
“Ndoshta këto fakte janë arsyeja pse po sulmohet Çairi. Dështimi shndërrohet në agresivitet”, ka përfunduar Nevzati.