Oviedo
Francesca Albanese, raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Palestinën, ka deklaruar se “ka shumë gjasa” se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, transmeton Anadolu.
Duke theksuar numrin masiv të vdekjeve, përdorimin e armëve të ndaluara, mungesën e burimeve të kujdesit shëndetësor, krizën humanitare dhe faktin që 1,9 milion njerëz janë zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre, Albanese sulmet izraelite i quajti “monstruoziteti i shekullit tonë”.
“Këto shifra janë të pashembullta në konfliktet e tjera bashkëkohore”, tha Albanese për të përditshmen spanjolle ‘El Pais’, duke përmendur rreth 8 mijë njerëz të vrarë në gjenocidin e Srebrenicës në Bosnjë dhe më pak se 8 mijë vdekje civile në Ukrainë.
Ekspertja italiane e OKB-së tha se ajo mbështet çështjen e gjenocidit të Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) dhe ajo beson se mund të ketë sukses pavarësisht presionit të fortë politik.
Sipas saj, “narrativa që ende po përhapet është se Izraeli po vepron në vetëmbrojtje”. Ajo argumentoi se veprimet e Izraelit shkojnë shumë përtej konceptit “të kufizuar dhe teknik” të vetëmbrojtjes siç përcaktohet në të drejtën ndërkombëtare.
Albanese theksoi se Izraeli ka shkuar përtej vetëmbrojtjes duke përdorur bomba “një ton” në zonat me popullsi ë dendur, duke ndërprerë ujin, ushqimin, ilaçet dhe karburantin, si dhe duke shkelur parimet e proporcionalitetit.
Raportuesja e posaçme e OKB-së tha se ajo sheh qëllime gjenocidi në gjuhën e përdorur nga liderët izraelite, si ministri i mbrojtjes që i quan palestinezët “kafshë njerëzore” ose kryeministri që thirret në konceptin biblik të Amalekut.
Albanese u bëri thirrje vendeve perëndimore që të kalojnë nga fjalët në veprime konkrete.
“Izraeli ka shkatërruar infrastrukturën e Gazës, e ka bërë Rripin e Gazës të pabanueshëm, ka shuar familje të tëra, mjekë, gazetarë… nëse kjo nuk mjafton për të marrë masa të nivelit të lartë diplomatik, politik dhe ekonomik, çfarë ju nevojitet më shumë”, tha ajo.
Më tej, ajo tha se vendet që vazhdojnë t’i shesin armë Izraelit janë bashkëpunëtorë në krime, qofshin krime gjenocidi apo krime lufte.
Dje, Albanese u takua me zv/kryeministren e Spanjës, Yolanda Diaz, e cila pas takimit në rrjetet social shkroi: “Vendi ynë duhet të bëjë më shumë”.
Në intervistën për gazetën spanjolle, Albanese iu përgjigj edhe atyre që e quajnë antisemitike për përdorimin e saj në të kaluarën të termit “lobi hebre”.
“Të gjitha ata që guxojnë të kritikojnë Izraelin përballen me akuza për antisemitizëm, por sot nuk do ta përdor kurrë termin ‘lobi hebre’, sepse nuk është i saktë. Së pari, sepse nuk janë vetëm hebrenjtë që mbështesin Izraelin, ka edhe të krishterë. Dhe sepse, për shembull, hebrenjtë në SHBA po protestojnë dhe thonë se Izraeli nuk mund të sulmojë Gazën në emër të tyre”, u shpreh ajo.
Albanese e filloi mandatin e saj si raportuese e posaçme e OKB-së në maj të vitit 2022. Që atëherë, Izraeli nuk i ka dhënë leje për të vizituar Izraelin apo Palestinën. Paraardhësve të saj, përfshirë Michael Lynk dhe Richard Falk, gjithashtu iu refuzua hyrja në mënyrë të përsëritur.