Albrim Hoxha: Me Mendi Qyrën nis ndryshimi i shumëpritur në Strugë

2 Min. Leximi

Në hapjen zyrtare të shtabit komunal të koalicionit qeveritar VLEN në Strugë, shefi i shtabit Albrim Hoxha theksoi mbështetjen e fuqishme për kandidaturën e pavarur të Mendi Qyrës, duke e cilësuar atë si simbol të unitetit qytetar dhe alternativë ndaj mendësisë së vjetër politike.

“Me shembullin që po japim si VLEN dhe me përkujdesin që kemi treguar veçanërisht muajt e fundit, dëshmojmë se Struga ka qenë dhe mbetet prioritet i yni. Vetëm në këtë periudhë kemi siguruar mbi 10 milionë euro investime për Strugën – nga të cilat dy projekte tashmë kanë nisur: ndërtimi i bulevardit hyrës drejt zonës së vreshtave me vlerë mbi 2.2 milionë euro dhe projekti për ndërrimin e gypave të azbestit për ujësjellësin e qytetit, me vlerë mbi 1.5 milionë euro, i nisur një javë më parë bashkë me zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti,” tha Hoxha.

- Advertisement -

Ai shtoi se këtë përkujdesje VLEN-i e ka treguar në mënyrë konkrete dhe se tash është koha që edhe qytetarët të tregojnë kujdes të njëjtë për Strugën.

- Advertisement -

“Mos të zgjedhim në krye të komunës vazhdimin e mendësisë së mbrapshtë të Ramiz Merkos dhe BDI-së, por as rikthimin e figurave që kanë marrë shumë prej Strugës dhe nuk i kanë dhënë asgjë.”

Sipas tij, në Strugë nuk duhet të ketë garë politike për kreun e komunës.

“Mendi Qyra është figurë që pa pasur kurrë ndonjë detyrim institucional, i ka dhënë shumë këtij qyteti. Ai paraqet një unitet qytetar që shkon përtej partive politike. Prandaj nuk besoj se duhet të kemi garë politike për të parin e Strugës. E vetmja garë e vërtetë duhet të jetë ajo për përbërjen e këshillave komunalë,” përfundoi Albrim Hoxha.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull