Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në kuadër të vizitës së parë historike të një delegacioni parlamentar të RMV-së në Baku, Azerbajxhan.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Gashi e ka cilësuar vizitën si “të frytshme” dhe me potencial për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha kyçe.
“Gjatë vizitës së parë historike të delegacionit parlamentar të Maqedonisë së Veriut në Baku, Azerbejxhan, pata kënaqësinë të zhvilloj takime të frytshme me ministrin e Punëve të Jashtme, z. Xhejhun Bajramov, me të cilin ndamë vizione për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, forcimin e komunikimit ndërinstitucional dhe afrim mes qytetarëve tanë,” shkroi Gashi.
Kryeparlamentari gjithashtu takoi ministrin e Energjisë së Azerbajxhanit, Parviz Shahbazov, me të cilin, siç nënvizoi ai, “diskutuam për projekte konkrete bashkëpunimi në energjetikë dhe mbi ekspertizën azere në këtë fushë.”
Në përfundim të vizitës, Gashi falënderoi mikpritësit për ngrohtësinë dhe bashkëpunimin, duke theksuar se “është përkushtim imi dhe i Kuvendit për ndërtimin e urave të reja të miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Azerbajxhanit.”