Intervista me kryeparlamentarin Afrim Gashi: VLEN as nuk është “plagosur” dhe as nuk ka pësuar “tërmet”

7 Min. Leximi

NOVA: Është më se e arsyeshme që këtë intervistë me ju ta fillojmë me aktualitetin politik më të nxehtë – “tërmeti” në VLEN. A e kishit parandjerë më herët këtë veprim të Taravarit apo ju befasoi edhe juve personalisht dhe subjektin tuaj VLEN?

Gashi: Nuk do ta quaja “tërmet”. Tashmë është e qartë se zhvillimet nuk ndikuan në stabilitetin e VLEN-it. Ju e dini se unë jam përmbajtur gjithmonë nga komentimi i çështjeve të brendshme të partive politike, sepse i konsideroj si çështje që u takojnë vetë liderëve të atyre partive. Megjithatë, si përfaqësues që vij nga ai koalicion dhe si kryetar i Kuvendit, mund të them se ndryshimi më i dukshëm është ai në përbërjen e grupit parlamentar – kemi një koordinator të ri të grupit parlamentar të VLEN-it dhe aktualisht po bëhen ndryshimet e nevojshme në trupat punues. Sa i përket befasimit, mendoj se më së shumti u befasuan vetë anëtarët e Aleancës për Shqiptarët, andaj dhe u shfaqën reagime protestuese nga anëtarësia ndaj këtij vendimi.
NOVA: Cili është ambienti aktual në VLEN mes tre liderëve partiakë dhe anëtarësisë? A ka bashkëpunim korrekt të brendshëm në prag të bashkimit të tre subjekteve në një parti të vetme, dhe si do të pozicionohet ajo ideologjikisht?

- Advertisement -

Gashi: Kam një komunikim korrekt me të gjithë liderët. Siç thashë, detyra ime më obligon të qëndroj larg vendimeve partiake dhe mundohem maksimalisht të respektoj këtë. Sigurisht që nuk është e lehtë të jem tërësisht i ndarë, sepse për shumë vite kam qenë kryetar i partisë dhe kam marrëdhënie të mira, miqësore e bashkëpunuese me liderët dhe anëtarët e partisë dhe të koalicionit VLEN.
Strukturat dhe anëtarësia janë duke u konsoliduar. Siç e dini, në fund të prillit u formua kryesia e përbashkët e koalicionit, që shënon fillimin e shndërrimit të VLEN-it në një subjekt të vetëm politik. Gjithashtu janë krijuar shtabi i përbashkët i komunikimit dhe komisioni i përbashkët për kuadro, dhe po punohet edhe në bashkimin e organeve të tjera.

Më e rëndësishmja është se anëtarësia e ka pranuar këtë proces me entuziazëm. Në qëndrimet dhe veprimet e tyre nuk vërehen më ndarje partiake, por një ndjenjë se VLEN tashmë është një familje e përbashkët me vizion të bashkuar për ndryshim dhe përfaqësim të denjë.
NOVA: Zgjedhjet lokale janë për më pak se gjysmë viti. A keni frikë nga epilogu i tyre pas daljes së ASh nga VLEN-i? Cilat janë përshtypjet tuaja nga terreni, sa është i qëndrueshëm besimi i anëtarësisë dhe votuesve?

Gashi: Nuk kemi aspak frikë nga zgjedhjet dhe jemi të bindur në rezultatin pas tyre. Do ta përsëris se VLEN nuk është “i plagosur” e as që ka përjetuar ndonjë “tërmet”. Përkundrazi, zhvillimet e fundit dëshmojnë fuqinë dhe kohezionin e VLEN-it. Për sa i përket zgjedhjeve lokale, VLEN tashmë e ka caktuar shefin e shtabit zgjedhor – deputetin Adnan Azizi, dhe janë duke u bërë analizat e nevojshme në terren. Sinjalet që marrim nga anëtarësia dhe qytetarët janë pozitive dhe inkurajuese
NOVA: A do të “mbijetojë” Gashi mes liderëve më “agresivë” si Kasami dhe Mexhiti apo do t’i mjaftojë funksioni i tanishëm si Kryetar i Kuvendit?

Gashi: Nuk jam në ndonjë garë për mbijetesë, sepse nuk kam hyrë në politikë që të jem i pari – as në parti, as në institucion, as në shtet. Kam hyrë për të mbrojtur parimet dhe vlerat në të cilat besoj thellësisht. As pozita aktuale si kryetar i Kuvendit nuk është ndonjë kulm i karrierës sime ose përmbushje e ndonjë ambicie personale. Ambiciet e mia nuk janë të lidhura me funksione, por me ndryshimin e ndershëm. Gara më e rëndësishme është ajo për të fituar besimin e qytetarëve – atë e kam kaluar disa herë, dhe tani jam i përkushtuar që ta përmbush përgjegjësinë time.
NOVA: Si do ta vlerësonit punën tuaj si Kryetar i Kuvendit pas një viti, në raport me funksionalitetin e Parlamentit dhe aftësinë për të ndërmjetësuar mes interesave të grupeve parlamentare?

- Advertisement -

Gashi: Para disa ditësh prezantova raportin e detajuar për punën time dhe të Kuvendit gjatë këtij viti. Përveç transparencës, digjitalizimit, diplomacisë parlamentare dhe hapjes së Kuvendit, për të cilat besoj se kemi bërë përparim të dukshëm, mendoj se puna e Kuvendit ka qenë efikase dhe efektive.

Prioriteti im ka qenë funksioni legjislativ, përmes thirrjes së rregullt të seancave, vendosjes së praktikave të ndershme, përfshirë ndalimin e abuzimit me flamurin e BE-së. Kuvendi ka mbajtur mbi 50 seanca plenare dhe mbi 332 seanca të komisioneve dhe ka miratuar rreth 280 akte ligjore – rreth 50% më shumë se mesatarja vjetore e mandatit të kaluar.

Kam komunikim korrekt me të gjitha grupet parlamentare, përfshirë edhe opozitën. Roli i Kuvendit është mbikqyrja e punës së Qeverisë, prandaj përpiqem të jem më shumë zë i opozitës sesa i pozitës. Nuk abuzoj me autoritetin tim për të ushtruar presion, por mundohem të garantoj respektimin e procedurave dhe të rregullores. Jam i pari mes të barabartëve.
NOVA: A merrni ndonjëherë presion direkt nga Qeveria për të “shtyrë” ndonjë ligj të diskutueshëm apo gjithçka shkon përmes grupeve parlamentare?

Gashi: Marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Qeverisë janë korrekte. Nuk ka dhe nuk mund të ketë presione, sepse çdo propozim kalon sipas procedurave dhe me debat të duhur. Në këtë mandat nuk është abuzuar me flamurin e BE-së – vetëm katër ligje janë miratuar me këtë procedurë, krahasuar me abuzimet në mandatet e mëparshme. Kjo dëshmon se procedurat respektohen dhe nuk ka presion nga ekzekutivi.

Gjithashtu, për një vit janë mbajtur 10 debate publike – që është 60% e totalit të debateve publike të mbajtura në mandatin e mëparshëm katërvjeçar. Kjo tregon një përfshirje të madhe të publikut dhe institucioneve në procesin ligjvënës.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull