Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të shtunën, për herë të 24-të me radhë, të konstituojnë përbërjen e re parlamentare që doli nga zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në shkurt.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga shoqëria civile dhe faktori ndërkombëtar për formimin sa më të shpejtë të institucioneve, bllokada politike po vazhdon.
Subjektet politike nuk po arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, proces i domosdoshëm për hapjen e rrugës drejt krijimit të Qeverisë së re.
Seanca e 25-të konstituive është thirrur për sot, me fillim nga ora 10:30.
Sipas rregullores së Kuvendit, propozimi për kryetar i takon ekskluzivisht partisë fituese të zgjedhjeve – Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Kjo e fundit ka nominuar Albulena Haxhiun për këtë post dhe, ndonëse ka shprehur gatishmëri për marrëveshje politike me subjektet tjera, ka bërë të qartë se nuk do të propozojë emër tjetër.
Përveç kryetarit, për konstituimin e plotë të legjislaturës së nëntë duhet të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit.
Vetëm pas përmbylljes së këtij procesi mund të procedohet me hapat e nevojshëm për formimin e Qeverisë së re.