Vogëlushja palestineze Nur Huda al-Hajja 6.5-vjeçare që jeton në veri të Rripit të Gazës vuan nga sëmundja e “fluturës” (Lupus) dhe po pret që lufta të mbarojë dhe të marrë trajtim, raporton Anadolu.
Palestinezët në Gaza, të cilën ushtria izraelite e ka sulmuar pa pushim që nga 7 tetori 2023 dhe ka qenë nën bllokadë të rreptë që nga 2 marsi, janë të privuar edhe nga e drejta e tyre për kujdes shëndetësor, pasi shumica e spitaleve janë jashtë funksionit.
Vogëlushja Nur një nga tetë anëtarët e familjes Hajjaj që migruan nga lagjja Shuyaiyye në veri të Gazës në lagjen Jala, po lufton me një sëmundje të rrallë dhe të pashërueshme të lëkurës të quajtur Epidermolysis Bullosa (sëmundja e fluturës). Situata po përkeqësohet çdo ditë për shkak se në Gaza nuk ka hyrje të ushqimit apo ilaçeve.
– Trupi i saj është plot me flluska dhe nuk mund të ushqehet mjaftueshëm
Vela al-Hajjaj, nëna e vogëlushes Nur përpiqet të pastrojë lëkurën e ënjtur të vajzës së saj dhe ta lyejë atë me pomada të thjeshta në shtëpinë e të afërmve ku ata janë strehuar.
Duke deklaruar se vajza e saj Nur vuan nga një sëmundje shumë e rëndë, nëna Vela tha se pesha e vajzës së saj ka rënë në 8 kilogramë sepse nuk ka mjaftueshëm ilaçe dhe ushqim.
Ajo vuri në dukje se vajza e saj duhet të konsumojë ushqime të buta si produktet e djathit, por për shkak se nuk mund t’i sigurojnë, dhëmbët e saj janë plagë dhe rrjedhin gjak gjithmonë. “Si pasojë e mungesës së miellit ose çmimit të tij shumë të lartë, ne bluajmë drithëra të tjerë dhe i përziejmë me miell. Dhëmbët e vajzës kanë rrjedhur gjak që kur ajo ka filluar t’i hajë këto. Ne hamë bathë dhe bishtaja në mëngjes, dreka nga qendrat e kuzhinave që shpërndajnë ushqim për të varfrit dhe darkë nuk ka, por vajza ime duhet të hajë vazhdimisht”, thotë Vela.
– Nuk mund të përdorë gishtërinjtë e duarve dhe të këmbëve
Për shkak se Nur nuk mund të marrë trajtim, gishtërinjtë e duarve dhe të këmbëve i rriten brenda një shtrese lëkure dhe ngjiten me njëri-tjetrin. Kjo bën që ajo të mos jetë në gjendje të përdorë duart dhe këmbët.
“Të gjithë gishtërinjtë e këmbëve të saj janë ngjitur së bashku. Gishtat po rriten nën lëkurë. Kjo lëkurë duhet të hiqet me operacion. Nëse nuk i nënshtrohet operacionit, gishtat e saj do të mbulohen nga kjo lëkurë dhe ajo nuk do të jetë në gjendje të përdorë duart. Gishtat e saj ishin më mirë më parë, por tani janë ngjitur së bashku sepse nuk po trajtohen”, tha nëna Vela e cila shtoi se vajza e saj Nur nuk mund të qëndrojë në këmbë dhe as të ulej mbi vithe për një kohë të gjatë për shkak të lëndimeve të saj.
“Ajo duhet të hajë fruta, por ne nuk mund të gjejmë as miell në Gaza. Ku mund të gjejmë fruta?”, tha nëna Vela duke theksuar se po presin që të mbarojë lufta për të nxjerrë vajzën e saj, e cila më parë ishte transferuar në spitalin “Makasid” në Kuds.