Shkup, 13 maj – Nuk do të ketë rikonstruim të Qeverisë, por vetëm ndërrim të ministrave, informojnë për MIA-n nga Qeveria, pas deklaratës së mbrëmshme të Arben Taravarit se ASH-ja lëshon Qeverinë.
Aleanca për Shqiptarët ka dy poste ministrore – atë për Shëndetësi e cila drejtohet nga Arben Taravari dhe postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për qeverisje të mirë të cilin aktualisht e ushtron Arben Fetai. Në Parlament kjo partia ka pesë deputetë.
Për momentin, ende nuk dihet se si do të zhvillohet ndërrimi i ministrave, nëse dhe cilët nga ASH do të japin dorëheqje ose Qeveria do t’i shkarkojë edhe funksionarët e tjerë nga krahu i ASH-së. Gjithashtu është e pasigurt se sa nga pesë deputetët e ASH-së do të qëndrojnë me Taravarin.
Nga Qeveria për MIA-n nuk konfirmojnë informacionet se mund të ketë ndërrim të resoreve midis VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, siç paralajmëroi mbrëmë një nga liderët e koalicionit “VLEN”, Bilall Kasami. Lidhur me numrin e deputetëve, kreu i Besës tha se ndoshta që këtë javë, do të rritet numri i deputetëve që do të migrojnë në shumicën qeveritare.
“Mund të garantoj se jemi tashmë në negociata serioze me disa deputetë si nga opozita shqiptare ashtu dhe të komuniteteve të tjera që janë pjesë e ‘Frontit Evropian’ aktual’”, ka thënë Kasami.
Pas deklaratës së mbrëmshme të Taravarit se ASH kalon në opozitë, kryeministri Hristijan Mickoski, sipas informacioneve të MIA-s nuk do të takohet me të.
Partia në pushtet VMRO-DPMNE, kryetar i së cilës është kryeministri Mickoski sonte do të mbajë mbledhje të Komitetit ekzekutiv të partisë.