Shkalla e punësimit nuk po rritet me të njëjtin ritëm, madje në disa vite kemi edhe rënie. Edhe pse pritet që të ketë luhatje në tregun e punës duke pasur parasysh faktin se disa persona dalin nga tregu i punës, pra vendosin të mos punojnë për një periudhë të caktuar, megjithatë është befasuese që papunësia po zvogëlohet ndjeshëm, ndryshe nga punësimi, ku nuk ka një rritje kaq të madhe


Albina REKA
Shkup, 18 mars – Shkalla e papunësisë ka treguar një tendencë të vazhdueshme rënieje gjatë muajve dhe viteve të fundit. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo ulje është rezultat i rritjes së aktivitetit ekonomik dhe një angazhimi më të madh të të papunëve në tregun e punës, apo ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në këtë zhvillim. Nëse analizojmë normat e punësimit dhe papunësisë gjatë pesë viteve të fundit, vëmë re ndryshime të dukshme. Kështu, në vitin 2019 shkalla e papunësisë ishte 20.7 për qind, e cila ka rënë në 17.3 për qind në vitin 2020, dhe më pas në 16.4 për qind në vitin 2021. Ky trend i rënies vazhdon edhe në vitet pasuese, duke arritur në 13.1 për qind në vitin 2024.
Megjithatë, shkalla e punësimit nuk po rritet me të njëjtin ritëm, madje në disa vite kemi edhe rënie. Edhe pse pritet që të ketë luhatje në tregun e punës duke pasur parasysh faktin se disa persona dalin nga tregu i punës, pra vendosin të mos punojnë për një periudhë të caktuar, megjithatë është befasuese që papunësia po zvogëlohet ndjeshëm, ndryshe nga punësimi, ku nuk ka një rritje kaq të madhe.
Por le të shohim se çfarë tregojnë numrat. Nëse në vitin 2019 shkalla e punësimit ishte 45.1 për qind. Një vit më pas, ose 2020, shkalla e punësimit arriti në 47.5 për qind, ndërsa në vitin 2021 mbeti në të njëjtin nivel, ose 47.5 për qind. Në vitin 2022, shkalla e punësimit madje u ul lehtë, duke rënë në 47.2 për qind. Në vitin 2023, shkalla e punësimit ishte 47.3 për qind, ndërsa në vitin 2024 shkalla e punësimit u ul në 45.4 për qind. Ekonomistët theksojnë se arsyet e rënies së papunësisë nuk janë të lehta për t’u përcaktuar dhe theksojnë se ka shumë faktorë që çojnë në uljen e saj.
Analiza e Entit Shtetëror të Statistikave me titull “Raporti Mujor Statistikor” tregon se në tremujorin e katërt të vitit 2023 kemi pasur 687.459 qytetarë të punësuar dhe 102.980 të papunë. Një vit më pas, ose në tremujorin e katërt të 2024, numri i të punësuarve u rrit në 698,411, ndërsa të papunët ra në 98.322 persona.
Instituti për Kërkime Ekonomike dhe Politika “Finance Think” tregoi në “Macromonitor”-in e tij të fundit se papunësia në tremujorin e katërt të 2024 u ul lehtësisht në 11.9 për qind nga 12.3 për qind në tremujorin e kaluar. Në këtë tremujor vijon ulja e frenimit në tregun e punës, duke qenë se u krijuan dy mijë vende të reja pune dhe aktiviteti i popullsisë mbeti në nivelin 52.5 për qind. Megjithatë, ndryshe nga tremujori paraardhës, hapjen e vendeve të reja të punës e prinë tregtia me katër mijë, sektori i TI-së me pesë mijë dhe ai financiar me afro tre mijë vende pune), ndërsa humbja më e madhe e vendeve të punës është në ndërtim me afro katër mijë vende pune, megjithëse ky sektor shënoi rritjen më të lartë të vlerës së shtuar në këtë tremujor”, thekson Finance Think. (koha.mk)