Çështja e rritjes së pagës minimale mbetet e hapur. Paga minimale duhet të harmonizohet këtë muaj dhe, sipas përllogaritjeve, rritja do të ishte rreth 1.800 denarë. Sindikatat kërkojnë që paga minimale të arrijë 500 euro dhe që kontributet për diferencën nga paga minimale deri në 30.000 denarë t’i subvencionojë shteti. Nga Qeveria lënë sindikatat dhe punëdhënësit të bien dakord, duke shtuar se nuk kanë asgjë kundër nëse punëdhënësit mund të paguajnë pagë minimale më të lartë se ajo ligjore, por se subvencionimi i kontributeve nuk është në agjendën e Qeverisë.
Sot, Federata e Sindikatave të Maqedonisë (SSM) pritet t’i dorëzojë Qeverisë propozimin për rritjen e pagës minimale dhe të të gjitha pagave të tjera. Ata kanë caktuar një konferencë për shtyp sot në orën 12:00, ku do të flasë kryetari i SSM-së.
Sipas SSM-së, paga minimale prej 24.400 denarësh, e cila do të ishte në përputhje me rregullimin ligjor, është shumë e ulët për punëtorët, duke marrë parasysh kostot e jetesës. Prandaj, ata shpresojnë që punëdhënësit të tregojnë vullnet të mirë dhe të pranojnë kërkesën e tyre, ndërsa Qeveria të luajë rolin kyç duke subvencionuar kontributet për diferencën nga 24.400 deri në 30.000 denarë. Nga SSM theksojnë se paga minimale duhet të sigurojë një minimum sigurie materiale për punëtorët.
Punëdhënësit bien dakord për rritjen e pagës minimale, por kërkojnë që Qeveria t’i ndihmojë duke subvencionuar kontributet. Për nivelin e pagës minimale do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit Ekonomiko-Social, e cila pritet të mbahet në mes të këtij muaji.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska-Koçoska, në një intervistë televizive të shtunën tha se, nëse punëdhënësit mund të paguajnë një shumë më të lartë se ajo ligjore, Qeveria nuk ka asgjë kundër, por nuk mund të subvencionojë kontributet.
“Sido që të bien dakord punëtorët dhe punëdhënësit brenda Këshillit Ekonomiko-Social, ku ka përfaqësues nga të dyja palët, ne si Qeveri do ta pranojmë atë që do të bien dakord. Paga duhet të bazohet në produktivitet dhe, nëse shuma që diskutohet është e pranueshme, ne absolutisht do ta mirëpresim atë. Nëse njëra palë beson se mund të sigurojë produktivitetin e kërkuar dhe pala tjetër se mund ta paguajë atë në përputhje me detyrimet ligjore, të cilat nuk kemi thënë kurrë se do t’i ndryshojmë, atëherë ne do ta mbështesim dhe do të vazhdojmë ta respektojmë,” tha ministrja e Financave.