Në vjeshtë në Maqedoninë e Veriut do të mbahen zgjedhje lokale. Partitë politike tashmë kanë nisur kalkulimet e brendshme për kandidatët me të cilët do të garojnë për pushtet nëpër komuna. Një nga komunat më atraktive është edhe komuna e Tetovës, me të cilën aktualisht udhëheq kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili është pjesë e koalicionit VLEN, e që me shumë gjasë do të rikandidojë për këtë post.
Deri sa “loja po nxehet”, burime të TV21 bëjnë me dije se Bashkimi Demokratik për Integrim gjithashtu ka nisur analizat për këtë komunë. Burime brenda partisë bëjnë me dije se një nga kandidatët për këtë komunë mund të jetë edhe Naser Nuredini, ish-ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Sipas informacioneve në BDI gjithashtu ka disa emra të tjerë që shqyrtohen si kandidatë të mundshëm, të cilët shihen si mundësi për rikthimin e kësaj komune te integristët.
Sekretari i përgjithshëm i partisë, Faton Ahmeti është një nga emrat që përflitet si kandidat, emër tjetër është edhe nënkryetari i partisë, Bajram Rexhepi, ndërkaq shqyrtohet edhe mundësia që si kandidat të dalë edhe Ilir Demiri, që është kuadër i Frontit Europian, gjegjësisht ASH-Sela.
“BDI po bën analiza dhe sondazhe me emra të ndryshëm në parti, për të siguruar kandidatin më të mirë”, thonë burime brenda BDI-së.(Tv21)