Marka e makinave elektrike turke Togg promovoi modelin e saj të ri të sedanit në panairin kryesor të elektronikës së konsumit dhe IT-së, CES 2024 në Las Vegas, SHBA, raporton Anadolu.
Modeli, me linja “fastback”, mban emrin “T10F”, ka zbuluar kompania në X.
Togg prezantoi prototipin e parë të automjetit elektrik turk në dhjetor 2019.
Në vitin 2022, kompania filloi fazën e prodhimit masiv të modelit të saj të parë, T10X, dhe filloi t’ua dorëzojë atë klientëve vitin e kaluar.
Rreth 20 mijë njësi T10X janë dorëzuar deri më tani.
Kompania synon të prodhojë një milion automjete në pesë modele të ndryshme deri në vitin 2030.
Makina elektrike Togg, e cila është kthyer në një simbol të avancimit të teknologjisë së lartë të Türkiyes, pritet të nxjerrë modele të reja në periudhën e ardhshme.