Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj kryetarit të ASH-së, Arben Taravarit i cili sot përkujtoi vendimin për tu bashkuar me opozitën shqiptare, të cilin e mori një vit më parë.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e BDI-së.
“Me një status e ndryshoi fatin e shtetit”
Arben Taravari ka të drejtë kur thotë se me një status ndryshoi rrjedhën e vendit.
Një vit më vonë, bilanci i këtij vendimi është i qartë: shqiptarët janë kthyer nga partnerë të barabartë në vendimmarrje në spektatorë të një qeverisjeje ku fati i tyre përcaktohet në zyrat e VMRO-DPMNE-së.
Sot, shqiptarët nuk kanë mekanizëm mbrojtës nga diskriminimi në institucionet shtetërore.
Sot, shqiptarët janë përjashtuar nga proceset kyçe shtetërore.
Sot, shqiptarët nuk kanë përfaqësim të denjë në administratë, nuk kanë fuqi e as nuk kanë garanci për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Fati që na solli Taravari e degradoi gjuhën shqipe nga një e drejtë e garantuar ligjërisht në një gjuhë të përkthyer dhe një temë debati në Gjykatën Kushtetuese.
Sot, gjuha shqipe nuk sfidohet vetëm nga kundërshtarët e saj të përhershëm, por edhe nga vetë ata që duhej ta mbronin.
Fati që na solli Taravari bëri që në mes të Shkupit, në prani të kreut të shtetit, të kremtohet “Bota Serbe” nga eksponentët e afërt me Moskën, ndërsa shqiptarët në qeveri nuk patën as guximin të reagojnë.
Fati që na solli Taravari e shndërroi frikën për të folur për ndryshimet kushtetuese në politikë zyrtare të qeverisë.
Një vit më parë, shqiptarët ishin avangardë e integrimit europian.
Sot, ata janë peng të një qeverie që nuk guxon as ta përmendë hapjen e Kushtetutës.
Në fund, Arben Taravari ka të drejtë.
Ai me një vendim e ndryshoi fatin e shtetit.
Por ky fat nuk ishte për shqiptarët, ishte në kurriz të shqiptarëve.
Fati i Taravarit është sot fatkeqësia e shqiptarëve!