Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka provokuar partitë tjera me deklaratën e tij gjatë një tubimi në Lugun e Baranit, një vendbanim i vogël në krahasim me Pejën. Me këtë mesazh, Abdixhiku theksoi fuqinë e përkrahjes që partia e tij gëzon edhe në zonat më të vogla.
“E kuptoni tani kur themi se LDK dhe populli janë bërë tashmë një? Si dikur, sikurse tani! Këtë LDK e keni kërkuar tash e sa kohë. Këtë LDK e keni tashmë. Prandaj, duajeni atë, mbrojeni atë, lartësojeni atë, sepse është e juaja tani!” – tha Abdixhiku, duke vlerësuar mobilizimin dhe përkushtimin e mbështetësve.
Ai theksoi se Dukagjini dërgon një mesazh të qartë për ndryshimin që po vjen dhe paralajmëroi një “tërmet të djathtë” në zgjedhjet e 26 janarit: “Karagaq, bëhu gati për 26 janar! Do të ketë tërmet të djathtë!”
LDK po duket dukshëm më mirë në fushatë krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Një shembull i thjeshtë është angazhimi dhe përkrahja në rrjetet sociale: postimet e Abdixhikut për fushatën po marrin pothuajse të njëjtin numër pëlqimesh si ato të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, një zhvillim që tregon mobilizimin dhe përmirësimin e bazës së LDK-së.
Kjo deklaratë dhe organizimi në Lugun e Baranit janë parë si sinjal i fuqishëm i ringritjes së LDK-së dhe i përgatitjeve për një rezultat më të mirë në zgjedhjet e ardhshme.