Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, nga tubimi me qytetarët e Pejës në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit tha se gjatë kohës sa ai është kryeministër i Kosovës, në të gjithë territorin është shtuar sovraniteti dhe integriteti duke shtuar edhe sigurinë dhe paqen për qytetarët. Kurti tha se çdo herë kur Serbia ka tentuar ta destabilizojë Kosovën ka dështuar. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë koalicionin që udhëheq VV edhe për një mandat, për të zhvilluar Kosovën në të gjitha fushat.
“Po gjithandej Kosovës, e posaçërisht në veri të Kosovës shtetit i kemi shtuar sovranitet, territorit i kemi shtuar integritet, popullsisë i kemi shtuar siguri, vendit atje i kemi shtuar paqe, kemi vendos ligjshmëri, kushtetutshmëri, jemi përball me struktura paralele e banda kriminale. Ata kanë provuar të na destabilizojnë e cenojnë, por sa herë që kanë provuar ata kanë dështuar e ne kemi fituar. Ne këtë nuk e kemi bërë kundër serbëve, por e kemi bërë kundër Serbisë, sepse ajo është kundër Kosovës dhe kombit tonë. 1:05:17 Të dashur qytetarë të Pejës ne brezi ynë ndodhemi midis dëshmorëve ndër varre dhe fëmijës në djepa. Shtetin e kemi më së shumti prej dëshmorëve, ata e kanë bërë pjesën më të madhe dhe kryesore të punës, e neve që na ka mbetur një pjesë më e vogël e punës, por jo pa ke rëndësishme, shtetin duhet ta kemi më së pari për të rinjtë dhe fëmijët. Për një shtet, që i mirëmban idealet dhe amanetin e dëshmorëve dhe i realizon dëshirat e rinisë dhe ëndrrat e fëmijëve më 9 shkurt dilni masovisht në zgjedhje, zgjidheni VV-në, numrin 118 dhe vazhdojeni progresin tonë të përbashkët në ekonomi politikë, shtet, kulturë, shëndetësi, arsim e çdo fushë të jetës e punës sonë shoqërore”, deklaroi Albin Kurti, kryetar i Vetvendosjes.