Kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka folur për situatën në veri, nga ku ka paralajmëruar se para dhe pas Vitit të ri, mund të ndodhin sulme të tjera atje. Kurti ka thënë se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit ishte vazhdimësi e 14 sulmeve të tjera që kanë ndodhur në veri gjatë këtij viti. Ai ka folur edhe për ftesën e Prokurorisë Speciale, ku ka thënë se I pret në kryeministri.
Kryeministri Albin Kurti ka dhënë alarmin të martën se sulme të reja në veri mund të ndodhin para dhe pas Vitit të ri.
Nëpërmjet një konference për medie, në të cilën foli edhe mbi rrjedhën e ngjarjeve që i paraprinë sulmit në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc, Kurti tha se sulmet e paralajmëruara synohen të realizohen në varësi të interesave politike të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Këso metodash të sfidimit të sigurisë në Kosovë, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxit fort, pastaj shkaktimin e panikun në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, tha Kurti.
E për sulmin në Ibër-Lepenc, Kurti tha se për qëllim e pati rrezikimin e sigurisë nacionale të Kosovës.
Sipas tij, Serbia është në koordinim me organizatorin e sulmit në Banjskë, Millan Radoiçiq, për ta vazhduar luftën hibride kundër Kosovës, teksa i përmendi Nemanja Radivojeviqin dhe Vladimir Radivojeviqin si persona që Radoiçiqi i ka caktuar për sulme në Kosovë.
E derisa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, kryeministri Kurti e përsëriti gatishmërinë për t’iu përgjigjur ftesës së Prokurorisë për intervistim, por vetëm në zyrën e tij.
“Ekziston komunikimi midis Kryeministrisë dhe Prokurorisë …..”, tha Kurti
Ai tha se një praktikë të tillë e kanë zbatuar edhe kryeministra të tjerë para tij.
Javën e shkuar, kryeministri Kurti e ka refuzuar edhe ftesën e dytë për intervistim në Prokurori lidhur me një hetim korrupsioni.