Departamenti i Rinisë së VLEN-it ka ironizuar me letrën e Bashkimit Demokratik për Integrim drejtuar ndërkombëtarëve. “Gjatë këtyre dekadave kemi punuar me përkushtimin më të madh në pasurimin tonë dhe të familjeve tona dhe për ta arritur këtë, nuk kemi kursyer mënyrat, mjetetet apo njerëzit”, tha Rinia e VLEN.
“BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
Letër urgjente shqetësimi
Të nderuar përfaqësues të SHBA-vë, BE-së dhe NATO-s,
Unë dhe partia ime kemi qenë në pushtet në Maqedoninë e Veriut që nga shtatori i vitit 2002 e deri në korrik të vitit 2024.
Gjatë këtyre dekadave kemi punuar me përkushtimin më të madh në pasurimin tonë dhe të familjeve tona dhe për ta arritur këtë, nuk kemi kursyer mënyrat, mjetetet apo njerëzit. Për më shumë se dy dekada, kemi siguruar për vete dhe të afërmit tonë biznese shumë fitimprurëse siç janë pompat e benzinës, hidrocentrale të vogla, qendra tregtare, toka të vlefshme bujqësore e ndërtimore sidomos në zonat ku ka plane për ndërtime strategjike e fitimprurës, komplekse të mëdha moderne banesore, por poashtu kemi themeluar edhe shumë e shumë kompani të cilat kanë ndërtuar rrjete të qëndrueshme dhe ndikim në ekonominë e vendit, në mënyrë që jeta e begatë dhe lluksi të mos na hiqen asnjëherë nga jetët tona.
Për t’i arritur këto, kemi bërë kompromise të vështira të cilat shpeshherë e kanë cënuar edhe paqen në vendin tonë”, tha Departamenti i Rinisë së VLEN.