Një shpërthim tronditi një lagje në Hagë herët të shtunën, duke shkatërruar disa apartamente dhe duke lënduar disa njerëz, bënë të ditur autoritetet.
Shkaku i shpërthimit është i paqartë. Autoritetet e urgjencës njoftuan se katër persona janë shpëtuar nga rrënojat dhe janë dërguar në spital, por nuk mund të thonë se sa njerëz mund të jenë ende nën rrënoja.
Ekipet shëndetësore po qëndronin në vend në pritje të viktimave të tjera.
Zëdhënësi i spitalit lokal tha se ata ishin në gatishmëri për t’u marrë me të lënduarit, raporton AP.
Banorët e lagjes verilindore Mariahoeve në Hagë dëgjuan një zhurmë të madhe dhe britma para agimit. Një grua tha për mediat lokale se mendonte se kishte ndodhur një tërmet.
Autoritetet holandeze vendosën në vendngjarje një ekip të specializuar të kërkim-shpëtimit urban, me katër qen të trajnuar për të gjetur viktima. Ekipi është përdorur më parë gjatë tërmetit shkatërrues në Turqi në vitin 2023.