“Bitcoin ka arritur një tjetër majë historike duke kaluar për herë të parë shifrën prej 100 000 dollarësh”, raporton gazetarja e Alsat, Ajnur Bafqari.
Pika më e lartë e arritur ishte 104 000 dollarë, që është një rritje prej mbi 45 për qind krahasuar me periudhën para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ku Bitcoin tregtohej nën 69 000 dollarë.
Kjo rritje historike është nxitur nga kërkesa e rritur globale dhe nga mbështetja e fuqishme e Bitcoin nga institucionet financiare kryesore. Kjo ka ndikuar në rritje edhe të çmimeve të kriptomonedhave të tjera në këtë treg.
“Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut, tregu i kriptomonedhave mbetet i parregulluar me ligj. Lidhur me këtë çështje lexojmë vetëm nëpër buletinet e policisë, edhe atë për keqpërdorime nga persona të caktuar”, raporton gazetarja Bafqari.
Qeveria ende nuk ka krijuar një kornizë ligjore që të mbrojë investitorët apo të përcaktojë qartë mënyrën e funksionimit të këtyre aseteve. Investitorët janë të detyruar të operojnë në një hapësirë të paqartë, duke përdorur platforma ndërkombëtare për transaksione dhe duke përballur pasigurinë ligjore në vend.
Por kryeministri Hristijan Mickoski thotë se aktualisht tregtimi me kriptomonedhat po bëhet në mënyrë gjysmëlegale, ndërsa po punohet seriozisht që të rregullohet me ligj. Ai u zotua se Maqedonia e Veriut do të jetë ndër të parat në rajon që do të bëjë ndryshime në këtë drejtim.
“Sot do të thosha se tregtohet gjysmë-legalisht prej këtu. Duam që të gjithë këtë ta kanalizojmë në korniza të ligjit, por ka shumë punë që duhet paraprakisht të harmonizohen dhe këtë e bëjmë, i harmonizojmë ato punë që të vijmë te produkti final. Por po, ja po ju them dhe kjo është ardhmëria dhe mendoj se do të jemi mes të parëve në rajon, nëse jo të parët që do të tentojmë të bëjmë diçka të tillë”, u shpreh Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Disa shtete të botës tashmë kanë filluar që buxhetin ta vendosin në bitcoin, ndërkohë që shumica më e madhe e vendeve të botës, këtë çështje akoma nuk e kanë të rregulluar me ligj. / Alsat.mk