Ministri i Financave Hekuran Murati, i ka reaguar deputetës së LDK-së Hykmete Bajramit, e cila ka thënë se Qeveria përmes propagandës çdo ditë po ofendon secilin nga qytetarët e Kosovës, e sipas saj, ajo po mundohet që të pavërtetat “t’i shesë si fakte” duke supozuar që askush në këtë vend nuk lexon.
Murati e nisi me ironi fjalinë e tij të parë “Hykmete, s’paske mësuar as sot, ulu njësh”.
Ai tutje shtoi se Bajrami nuk e ka kuptuar dhe s’i kupton elementet bazë të buxhetit, apo të financave publike në përgjithësi.
“Ani pse Hykmetja ka qenë për nja 6 muaj Ministre e Financave, e për disa vite tjera edhe Ministre e Tregtisë e Industrisë, nga ajo që paska shkruar në postimin e saj të fundit në Facebook, e dëshmon që ende nuk i din e as që i ka kuptuar ndonjëherë elementet bazë të funksionimit të buxhetit, apo të financave publike në përgjithësi. I qenkan dashur më shumë se 24 orë Hykmetes që të arrijë në momentin e saj të “eurekas”, për ta gjetur, siç e quan ajo, “manipulimin e radhës” nga ana ime. Sipas saj, grafikoni që unë kam prezantuar dje ka pasaktësi sepse nuk është e mundur që në vitin 2008 të nënshkruhen kontrata në vlerë mbi 800 milionë euro, kur vetëm afërsisht 500 milionë euro mund të ketë qenë buxheti i atij viti për prokurime. Pak a shumë, kjo ishte akuza”, ka shkruar Murati.
Ai tutje ka shtuar se “Por, siç nuk e din Hykmetja, buxheti përveç vitit fiskal që mbulon, ka projeksione edhe për dy vite tjera në kuadër të asaj që quhet Korniza Afatmesme e Shpenzimit – KASH. Dhe siç nuk e din Hykmetja, edhe nëse i tërë buxheti për vitin ekzistues është 500 milionë euro, kjo nuk e ndalon organizatën buxhetore që të lidhë kontratë disavjeçare për, ta zëmë ndërtimin e një autostrade, ku pagesa shtrihet në 3 apo 4 vite nga 200 milionë euro. Pra, shpenzimi në njërën anë dhe disponueshmëria e mjeteve në anën tjetër, janë dy gjëra të ndryshme. Këtë e din secili qe merret me financat publike. Por jo edhe Hykmetja”.