Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, përmes një statusi në rrjetet sociale ka shkruar se sot me inspektimin e punimeve për ndërtimin e Korridorit 8, ku përveç kreut shtetëror mori pjesë edhe vet ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, u demantua edhe një gënjeshtër e BDI-së
“Veprat e VLEN-in për çdo ditë dëshmojnë dy gjëra. Mashtrimet me dekada që u ka bërë BDI shqiptarëve dhe përkushtimin tonë si pjesë e Qeverisë, për të ecur në realitet projektet madhore në interes të shqiptarëve por edhe në interes shtetëror!
Sot, në inspektimin e punimeve për ndërtimin e Korridorit 8, në të cilën përveç kreut shtetëror mori pjesë edhe vet ambasadorja e Shteteve të Bashkuara znj. Ageler, u demantua edhe një gënjeshtër e BDI-së, ndërsa u dëshmua se projekti me rëndësi kombëtare si ndërtimi i Korridorit 8, jo vetëm që po realizohet, por edhe se po ecë me dinamikë të shpejtë”, ka shkruar Kasami.
Ai më tej ka shkruar se VLEN-i gjithmonë do të jetë gardiani i shqiptarëve dhe projekteve me rëndësi kombëtare e shtetërore.
“E nga ana tjetër, të gjithë jemi të vetëdijshëm se Aliut nuk i interesojnë projektet e mëdha, as rrugëtimi i shtetit e aq më pak shqiptarët. Thjesht po vajton vetëm për pushtet, pushtet i cili i duhet për të mbrojtur krimin dhe kriminelët gjatë qeverisjes së tij. E derisa Aliu dërgon letra lart e poshtë, ne po avancojmë çdo çështje shqiptare, të cilat partia e tij, i bllokoi dhe në emër të tyre i mashtronte shqiptarët.
Ecim përpara sepse ja VLEN!”, ka shkruar Kasami