Dy nga yjet e NBA-së sezonet e fundit janë padyshim Nikola Jokiç e Luka Donçiç, me të parin që është shpallur edhe “MVP”. Ata i kanë paraqitur një kërkesë komisionerit të NBA-së, Adam Silver, për të zhvilluar ndeshje edhe në Ballkan.
Më konkretisht, ata kërkojnë që ndeshje të NBA-së të luhen në Serbi dhe Slloveni, vendlindjet e tyre. Ata synojnë që këto dy shtete të organizojnë nga një ndeshje zyrtare të skuadrave ku ata luajnë.
Pas kësaj kërkese, ka ardhur replika e Adam Silver, komisioneri i NBA-s.
“Të dy kanë pyetur nëse NBA mund të zhvillohet në Slloveni e Serbi. Kjo është një detyrë e vështirë, pasi zhvillimi i këtyre ndeshjeve kërkon shumë shpenzime. Është e vështirë dhe mendoj se nga ana ekonomike nuk ka kuptim. Kjo mund të funksionojë në vende si Meksikë, Paris apo Abu Dhabi, pasi bëhet fjalë për një nismë afatgjatë në këto shtete”, tha Adam Silver.
“E vlerësoj shumë entuziazmin e tifozëve në Serbi, Slloveni apo edhe Greqi, vend ku luan me kombëtaren e tij Antetokounmpo. Ne do ta marrim në konsideratë këtë gjë për të ardhmen, pasi dua të gjej një mënyrë për t’i nderuar këta djem”, tha Silver.